BE: Do të ishte mirë që Beogradi dhe Prishtina të përgatiteshin për raundin tjetër të dialogut

  • G.G /
  • 12 November 2020 - 15:21
BE: Do të ishte mirë që Beogradi dhe Prishtina të përgatiteshin për raundin tjetër të dialogut

Zëdhënësi i BE’së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Peter Stano, ka deklaruar se raundi tjetër i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në nivel të lartë do mbahet në Bruksel sapo që të bëhen kushtet.

Stano, në një prononcim ka kërkuar nga Prishtina e Beogradi të përgatiten për raundin e ardhshëm të dialogut, pasi u pyet për deklaratat e Isa Mustafës, kreut të LDK’së, se “dialogu do vazhdojë pas Krishtlindjeve”.

“Si rregull, ne nuk komentojmë mbi vërejtjet ose raportet e vërejtjeve nga zyrtarë të njërës palë ose tjetrës. BE lehtëson dialogun dhe organizon takime në nivelin ekspert dhe të lartë politik për të çuar përpara punën. Kjo është një punë e vazhdueshme”, ka deklaruar ai.

“Takimi tjetër i nivelit të lartë i dialogut do të mbahet në Bruksel, sapo të bëhen kushtet. Në ndërkohë, do të ishte mirë që Prishtina dhe Beogradi të përgatiten për diskutime, duke treguar frymën e nevojshme të pragmatizmit dhe vullnetit politik për kompromis”.

Kryetari i partisë më të madhe të koalicionit qeveritar, në një prononcim për Periskopin, ka thënë se sipas njohurive të tij, nuk është caktuar asnjë takim as në nëntor as në dhjetor për takim me dialogun.

“[Dialogu] Është çështje e partneritetit me BE-në dhe SHBA-në. Është edhe një fakt. Sa kam njohuri, as ne nentor dhe as në dhjetor nuk është caktuar asnjë takim për dialogun. Tani pasojnë Kërshëndellat. Kështu që këta që po kërkojnë ndërprerje të dialogut, po flasin kot, po trokasin në derë të hapur”, ka vijuar Mustafa. 

(Kosova Sot Online)