Bjellorusia urdhëron bankat që t’i konfiskojnë të hollat e mbledhura për protestuesit

  • G.G /
  • 13 November 2020 - 08:46
Bjellorusia urdhëron bankat që t’i konfiskojnë të hollat e mbledhura për protestuesit

Autoritetet në Bjellorusi i kanë urdhëruar bankat që t’i konfiskojnë të hollat e mbledhura përmes donacioneve të vogla për viktimat e dhunës policore gjatë protestave kundër qeverisë së Lukashenkos.

Këto fonde u transferuan në llogaritë e personave që janë rrahur ose gjobitur pasi morën pjesë në protestat e vazhdueshme kundër regjimit të udhëheqësit autoritar, Aleksander Lukashenko, i cili është akuzuar për manipulim të zgjedhjeve të fundit.

Pas zgjedhjeve presidenciale, rezultatin e të cilave nuk e njohu Bashkimi Evropian për shkak të dyshimeve për mashtrime, qindra njerëz pësuan lëndime pas dhunës sistematike të policisë në rrugë dhe në burgje. Mijëra persona u gjobitën, prandaj aktivistët themeluan fonde për t’i përkrahur personat e gjobitur.

Një fond i themeluar nga një bjellorus që jeton në Londër, Andrei Leonchik, i grumbulloi dy milionë funte brenda pak ditësh në muajin gusht. Shumica e të hollave erdhën nga qytetarët bjellorusë që ishin të gatshëm të shfaqnin solidaritet, shkruan The Guardian.

Në fillim të kësaj jave, grupi që e menaxhon këtë fond tha se ka pranuar mbi 8.700 aplikacione për ndihmë financiare dhe e ka ofruar këtë në mbi 3.300 raste, kur njerëzit janë arrestuar, lënduar apo gjobitur me të holla.

Megjithatë, sipas dokumenteve që janë zbuluar, autoritetet i kanë urdhëruar bankat që t’i ngrijnë të gjitha fondet të transferuara nga Leonchiku, si dhe të hapin rast kriminal kundër tij.

(Kosova Sot Online)