KMDLNj: Kryetarja e Gjykatës Speciale po i mashtron kosovarët

  • G.G /
  • 13 November 2020 - 14:26
KMDLNj: Kryetarja e Gjykatës Speciale po i mashtron kosovarët

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut edhe një herë ka reaguar lidhur me Gjykatën Speciale, duke e quajtur njëetnike e raciste dhe se do t’i besonte kësaj gjykate në rast se e zbardhë fatin e mbi 1600 personave të pagjetur. Në të kundërtën, deklarata e Ekaterina Trandafillovës se do të dënojë të gjitha ata që kanë bërë krime, do të konsiderohet si mashtrim dhe gënjeshtër e radhës nga kjo Gjykatë.

KMDLNj thotë se do t’i besonte kryetares së Gjykatës Speciale Njëetnike se e ka seriozisht në rast kur paramilitarët e Speciales dhe policët e EULEX-it do të arrestonin në Serbi paramilitarët e Arkanit, Sheshelit, të Frenkit apo të tjerët, kur do të arrestoheshin në Serbi kriminelët e luftës Aleksandar Vuçiq, Ivica Daçiq, Dikoviq dhe të tjerët dhe kur do të bastiseshin shtëpitë e tyre sikur që ndodhi në Kosovë dhe duarlidhur dhe këmbëlidhur si rasti i Jakup Krasniqit të dërgohen në Hagë.

“Gjithashtu, KMDLNj do t’i besonte drejtueses si një mekanizmi të inkuizicionit” demokratik” nëse këta i hapin me dhjetëra varreza masive të mbjellura në territorin e Serbisë ku janë varrosur shqiptarët e ekzekutuar në Kosovë apo ata që janë marrë si robër lufte në Serbi e pastaj janë ekzekutuar në Batajnicë dhe batajnicat tjera. KMDLNj do t’i besonte kësaj Gjykate Speciale Njëetnike e që sipas të drejtave të njeriut lirisht mund të konsiderohet edhe raciste në rast se e zbardhë fatin e personave të pagjetur mbi 1600 ( të të gjitha etnive ). Në të kundërtën, deklarata e Ekaterina Trandafillovës do të konsiderohet si mashtrim dhe gënjeshtër e radhës nga kjo Gjykatë që ka filluar me Dick Marty e nuk dihet me kend do të përfundojë”, thuhet në reagim.


Reagim i KMDLNj – së:

MASHTRIMI PUBLIK I EKATERINA TRANDAFILLOVËS NGA GJYKATA SPECIALE NJËETNIKE !

Senatori zviceran, Dick Marty, me përkrahje logjistike dhe materiale të Serbisë dhe Rusisë e bëri publik një Raport politik për krimet e pretenduara të UÇK-së gjatë dhe pas luftës në Kosovë, me theks të veçantë e përmendi Shtëpinë e Verdhë në Burrel, Shqipëri që paska shërbyer si spital për heqje dhe trafikim të organeve të civilëve të rrëmbyer serbë dhe romë e që ishin prurë nga Kosova në Shqipëri. Këto krime të pretenduara fillimisht përfshinin kohën pas përfundimit të luftës e deri në përfundim të vitit 2000. Në bazë të këtij Raporti, Këshilli i Evropës votoi themelimin e një Task Force për hulumtimin e këtyre pretendimeve në me krye prokurorin amerikan, Ëilliamson. Në Raportin e Dick Marty listoheshin të dyshuarit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të gjithë shqiptarë dhe të gjithë udhëheqës apo ushtarë të UÇK-së. Në bazë të këtij Raporti, deputetët e Kuvendit të Kosovës, në rrethana të shantazhimit, kërcënimit dhe terrorizimit psikik u detyruan ( përjashtuar një numri të deputetëve të opozitës dhe pozitës ) ta votojnë Ligjin për formimin e një Gjykate Speciale të Kosovës, me seli në Hagë !!!! Paraprakisht e ndryshuan edhe Kushtetutën e Kosovës duke ia kaluar të gjitha kompetencat kësaj Gjykate dhe duke mos e identifikuar me asgjë me sistemin e drejtësisë të Kosovës pjesë e së cilës mendohej të ishte kjo Gjykatë. Të gjitha marrëveshjet që u nënshkruan midis Kosovës, Holandës ( ku është selia e Gjykatës Speciale Njëetnike ) ishin kundër Kosovës duke e zhveshur Kosovën nga pronësia qoftë edhe simbolike mbi këtë Gjykatë e cila paraqet nonsens të llojit të vet dhe në kundërshtim me të gjitha praktikat e gjykatave ndërkombëtare për krime lufte të formuara deri më tani. Shumica e gjykatësve, prokurorëve, hetuesve, policëve apo administratës ishin mbetje e Tribunalit të Hagës për Krime Lufte për ish – Jugosllavinë, të UNMIK-ut, EULEX-it dhe Task Forcave që bënin eksperimente gjatë mandatit të tyre në Kosovë. Ekaterina Trandafillova u zgjodhë kryetare e kësaj Gjykate Speciale Njëetnike dhe, në të gjitha paraqitjet publike kurrë nuk përmendi krimet e Serbisë të kryera në Kosovë por tërë kohën është deklaruar për Raportin e Dick Marty, si alfa dhe omega e angazhimit të saj duke demonstruar një qasje krejtësisht diskriminuese dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut, si vlera universale dhe të pandashme. Pastaj u formua e ashtuquajtuar Gjykatë Kushtetuese e Gjykatës Speciale Njëetnike e që nuk ka ndodhur me asnjë Gjykatë për Krime Lufte, që nga ajo e Nyrembergut e deri te kjo e Dick Marty. Që ironia të jetë edhe më e madhe, u themelua edhe Institucioni i Ombudspersonit – Avokatit të Popullit i cili nuk ka bërë asnjë veprim në mbrojtje të intereseve të personave të privuar nga liria, që të gjithë shqiptarë, as në rast se kur janë ftuar nga kjo Gjykatë pa iu treguar në çfarë cilësie ftohen, pa vendim të shkruar, as kur Gjykata Speciale Njëetnike ka kërkuar që të ftuarit të sjellin me vete prova fajësuese kundër tyre e që këtë e ka rrëzuar avokati nga Kosova, Artan Qerkini pasi e ke denoncuar si shkelje të rëndë të Rregullores së kësaj Gjykate dhe të drejtave të njeriut të të ftuarve. Në të gjitha Gjykatat në botë gjatë leximit të të drejtave të personave të dyshuar apo të akuzuar, gjykatësi i procedurës paraprake, ndër të tjera ua njofton të drejtën të mos flasin asgjë që i ngarkon të dyshuarit e lëre më të sjellin materiale vetakuzuese apo akuzuese për të tjerët siç kërkonte më parë kjo Gjykatë. I ashtuquajturi Avokat i Popullit asnjëherë nuk ka reaguar kur të dyshuarve apo të akuzuarve iu është shkelur e drejta kushtetuese për përdorimin e gjuhëve zyrtare në Kosovë e as në rastin kur konfirmimi i aktakuzës është dorëzuar në anglisht ndonëse kjo gjuhë nuk është gjuhë zyrtare në Kosovë. Alter Ego e Prokurorisë së Specializuar i shpërfaqur si Avokat i Popullit nuk ka reaguar fare kur paramilitarët e Speciales dhe policët e EULEX-it kanë ndërhyrë brutalisht në shtëpinë e Jakup Krasniqit duke e mbajtur të prangosur 10 orë dhe duke e marrë në pyetje ndonëse në asnjë praktikë ndërkombëtare nuk parashihet që atij që i konfirmohet aktakuza mund t’i bastiset shtëpia apo të merret në pyetje për dyshimet e konfirmuara, pasi është ngritur aktakuza. Po në këtë mënyrë janë bërë bastisjet në shtëpitë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Salih Mustafës dhe disa herë është dhunuar selia e veteranëve të OVL –së së UÇK-së dhe janë arrestuar udhëheqësit e kësaj organizate, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati ndonëse kjo nuk është mandat i kësaj Gjykate. Dhe shumë shkelje tjera ligjore dhe të drejtave të njeriut ndaj të cilave i ashtuquajturi Avokat i Popullit bëhet i verbër dhe i shurdhër.

KMDLNj, që nga fillimi ka kundërshtuar formimin e kësaj Gjykate Speciale, si nga forma e në veçanti nga përmbajtja për faktin se diskriminon 97 % të viktimave ( shqiptare dhe joserbe ) sikur që amniston 97 % të atyre që kanë kryer krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Kosovë. KMDLNj, që nga përfundimi i luftës në asnjë rast nuk i ka ndarë viktimat në baza etnike e as ata që kanë kryer krime duke kërkuar drejtësi për të gjitha viktimat dhe përgjegjësi për të gjithë ata që iu dëshmohet krimi. Gjykata Speciale Njëetnike e bënë krejtësisht të kundërtën që e bënë dhe kërkon KMDLNj, bënë diskriminim flagrant në baza etnike.

Pas arrestimeve të bujshme kohëve të fundit në Kosovë ku të gjithë të arrestuarit dhe të akuzuarit janë shqiptarë dhe asnjëri nuk është serb, filluan reagimet edhe të ndërkombëtarëve si : Serëer , Eliot Engel dhe të tjerë që denoncojnë karakterin njëetnik të kësaj Gjykate Speciale Njëetnike e që është në harmoni të plotë me qëndrimet e KMDLNj-së. Për të amortizuar këtë kundërshtim e që ka mundësi reale të rritet duke kërkuar riformatimin e kësaj Gjykate Speciale Njëetnike, kryetarja e saj, Ekaterina Trandafilova, si karajfil i vonuar del se ; kjo Gjykatë nuk do të dënojë vetëm shqiptarë por të gjithë ata që kanë kryer krime ndonëse e ka të qartë se kjo Gjykatë nuk ka jurisdikcion as në Shqipëri, as në Maqedoni të Veriut e në Serbi nuk kanë guxim ta paraqesin as si ide.

Deklarimi i Ekaterina Trandafillovës është vetëm një tym mashtrues dhe përpjekje për të amortizuar kundërshtimin e drejtë e ndarjes së drejtësisë sipas parimit etnik, si nga ndërkombëtarët ashtu edhe nga vendorët e që mund të zgjerohet me pasoja jo të favorshme për institucionin diskriminues në krye të së cilës është Trandafillova. Është vetëm një hallkë e mashtrimit, jotransparencës në zinxhirin e këtij konstrukti represiv ndaj një etnie, shqiptarëve, dhe karrotë ( pa asnjë shkop ) për ata që kanë bërë gjenocid në Kosovë e që është Serbia e në disa raste edhe Mali i Zi. Deri më tani ky zinxhir fillon me mashtruesin Dick Marty dhe përfundon me mashtruesen Ekaterina Trandafillova.

KMDLNj do t’i besonte Kryetares së Gjykatës Speciale Njëetnike se e ka seriozisht në rast kur paramilitarët e Speciales dhe policët e EULEX-it do të arrestonin në Serbi paramilitarët e Arkanit, Sheshelit, të Frenkit apo të tjerët, kur do të arrestoheshin në Serbi kriminelët e luftës Aleksandar Vuçiq, Ivica Daçiq, Dikoviq dhe të tjerët dhe kur do të bastiseshin shtëpitë e tyre sikur që ndodhi në Kosovë dhe duarlidhur dhe këmbëlidhur si rasti i Jakup Krasniqit të dërgohen në Hagë. Gjithashtu, KMDLNj do t’i besonte drejtueses si një mekanizmi të inkuizicionit” demokratik” nëse këta i hapin me dhjetëra varreza masive të mbjellura në territorin e Serbisë ku janë varrosur shqiptarët e ekzekutuar në Kosovë apo ata që janë marrë si robër lufte në Serbi e pastaj janë ekzekutuar në Batajnicë dhe batajnicat tjera. KMDLNj do t’i besonte kësaj Gjykate Speciale Njëetnike e që sipas të drejtave të njeriut lirisht mund të konsiderohet edhe raciste në rast se e zbardhë fatin e personave të pagjetur mbi 1600 ( të të gjitha etnive ). Në të kundërtën, deklarata e Ekaterina Trandafillovës do të konsiderohet si mashtrim dhe gënjeshtër e radhës nga kjo Gjykatë që ka filluar me Dick Marty e nuk dihet me kend do të përfundojë. Drejtësia nuk kërkon improvizime por fakte! Drejtësia është shpagim për viktimat dhe familjet e tyre dhe parandalim për krimet në të ardhmën kurse, falja e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit që i bëhet Serbisë pashmangshëm krijon kushte për përsëritjen e gjenocidit e që e bëri të qartë edhe krimineli i luftës dhe i paqes, Aleksandar Vuçiq, kryetar i Serbisë !

(Kosova Sot Online)