Pas sulmit terrorist në Vjenë, policia austriake rikujton se patrullon nga ajri

  • G.G /
  • 13 November 2020 - 15:11
Pas sulmit terrorist në Vjenë, policia austriake rikujton se patrullon nga ajri

Policia e Vjenës, ku ndodhi sulmi terrorist më 2 nëntor, përmes një videoje të publikuar në Twitter u ka rikujtuar banorëve se zyrtarët e sigurisë patrullojnë mbi kryeqytetin austriak edhe nga ajri.

“Ekipi ynë televiziv i policisë pati mundësinë që në fund të tetorit ta shoqërojë njësitin ajror të policisë. Me pamje spektakolare dhe me tinguj të bukur të sintit të viteve të tetëdhjeta, ju dëshirojmë fillim të mirë të fundjavës!”, shkruhet në postimin ku është publikuar edhe videoja.

Kryeqyteti austriak ishte arenë e një sulmi të tmerrshëm terrorist në natën e 2 nëntorit, ku sulmuesi Kujtim Fejzullai vrau tre persona. Ai u vra më vonë nga policia.

Përpos të vrarëve, gjatë të shtënave dhe sulmeve me thikë u plagosën 23 persona tjerë. Shumica e të plagosurve ishin nga Austria, por kishte edhe nga Gjermania, Sllovakia dhe disa vende tjera.

Sulmuesi Fejzullai kishte shtetësi të dyfishtë, të Austrisë dhe Maqedonisë Veriore, dhe kishte prejardhje shqiptare. Ai ishte dënuar më parë me 22 muaj burgim pasi ishte përpjekur t’i bashkohej ISIS-it në Siri. Megjithatë, ai ishte liruar në dhjetor të vitit të kaluar, tetë muaj pa e përfunduar dënimin.

(Kosova Sot Online)