Hyjnë zyrtarisht në fuqi, këto janë masat e zonave të kuqe

  • E.K /
  • 13 November 2020 - 19:03
 Hyjnë zyrtarisht në fuqi, këto janë masat e zonave të kuqe

Komuna e Prishtinës, Fushë-Kosovës, Gjilanit, Obiliqit, Gjakovës, Shtimes, Podujevës dhe Pejës dhe Ferizaj janë në zonën e kuqe të qyteteve të cilat do të kenë masa më strikte sa i përket kufizimit të lëvizjes dhe operimin e ekonomisë.

Më poshtë mund t’i lexoni të gjitha masat që hyjnë në fuqi nga sonte për këto komuna:

Zona e kuqe – rrezik i lartë:

25. Masat në vijim vlejnë për komunat me rrezik të lartë të përhapjes së infeksionit (mbi 150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda javës:

25.1. Ndalohet lëvizja e qytetarëve jashtë shtëpive/banesave të tyre pas orës 19:00 e deri në orën 05:00, përveç për nevoja emergjente dhe shëndetësore, duke përjashtuar nga kjo masë personelit shëndetësor, të sigurisë, drejtësisë dhe të ngjashme;

25.2. Ndalohen hyrje-daljet e qytetarëve dhe automjeteve në territorin e komunës përkatëse nga ora 19:00 deri në orën 05:00, përveç:

25.2.1. Personelit shëndetësor, personelit të sigurisë, drejtësisë dhe studentëve;

25.2.2. Qytetarëve për nevoja emergjente;

25.2.3. Operatorëve që kryejnë punë publike;

25.3. Ndalohet veprimtaria e gastronomisë nga ora 19:00 deri në orën 05:00;

25.4. Institucionet publike dhe private punojnë vetëm me stafin esencial, i cili staf përcaktohet me vendim të secilit institucion në veçanti;

25.5. Transporti publik lejohet të punojë me 50% të kapaciteteve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;

25.6. Taksitë lejohen të punojnë me vetëm një (1) pasagjer prapa ose tre (3) nëse janë anëtarë të familjes;

25.7. Lejohen pjesërisht aktivitetet kulturore të institucioneve vartëse të MKRS dhe komunave (teatrot, bibliotekat, filarmonia, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), duke shfrytëzuar vetëm 30% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime), duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”;

25.8. Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura; stërvitjet dhe garat mund të organizohen në sportet individuale; gjatë stërvitjeve në hapësirat e mbyllura mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa gjatë garave mund të marrin pjesë deri në 50 persona bazuar në protokolle dhe udhëzime vendore dhe ndërkombëtare sportive, si dhe duke u bazuar në “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”;

25.9. Lejohen fitneset dhe pishinat e mbyllura për aktivitete individuale rekreative duke shfrytëzuar vetëm 40% të hapësirave/sipërfaqeve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”.

(Kosova Sot Online)