Enver Hasani: Kush nuk do ta pranonte postin e Presidentit

  • G.G /
  • 14 November 2020 - 11:49
Enver Hasani: Kush nuk do ta pranonte postin e Presidentit

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani ka treguar nëse synon pozitën e të parit të vendit. Ai ka folur edhe për kohën kur ai drejtonte Kushtetuesen. Tha se derisa ishte në krye të këtij institucioni, me vendimet e marra janë prekur pothuajse të gjitha organet shtetërore.

“Gjykuar sipas vendimeve që janë marrë në atë kohë, më shumë del që në atë kohë…dmth efekti sistemik i tyre ka qenë më i madh dhe për pasojë edhe cenimet kanë qenë ma me peshë më serioze, kanë pasur efekt më të madh në Kosovë”, tha Hasani në emisionin ‘Natën me Fatmir Spahiun’ .

“Gati të gjitha organet shtetërore nganjëherë janë afektu prej vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, shtoi ai.

Por a ka menduar Hasani t’i hyjë politikës?“Për politikë s’kam pasur asnjëherë as biseda me askënd prej forcave politike për të hyrë dhe as anasjelltas”, theksoi ai.

Por a do të pranonte ndonjë post konsesual si ai i presidentit nëse do t’i ofrohej?

“Ajo është çështje tjetër. Po sigurisht (që e kisha pranu). Kush nuk do e pranonte një pozitë të tillë që ne në të drejtën kushtetuese i themi pozita neutrale e pushtetit”, shpjegoi ai.Hashim Thaçi, më 5 nëntor dha dorëheqje nga pozita e presidentit të Republikës së Kosovës, pasi Dhomat e Specializuara në Hagë konfirmuan aktakuzën kundër tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë zyrtarisht pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentit, pas dorëheqjes së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, pasi ndaj tij u konfirmuar aktakuza nga ana e Gjykatës Speciale në Hagë.Ndërkohë, kryetari i AAK’së Ramush Haradinaj deri më tani është i vetmi që ka shpallur kandidaturën për pozitën e presidentit.

(Kosova Sot Online)