Shteti Grek ashpërson masat, mbyll shkollat fillore dhe çerdhet për dy javë

  • G.G /
  • 14 November 2020 - 12:53
Shteti Grek ashpërson masat, mbyll shkollat fillore dhe çerdhet për dy javë

Qeveria greke ka njoftuar se ka marrë vendim për mbylljen e shkollave fillore dhe çerdheve për fëmijë deri në fund të nëntorit për shkak të rritjes së numrit të rasteve me COVID-19.

Greqia deri më tani ka kaluar më lehtë se shumë vende evropiane në luftën kundër pandemisë, kryesisht për shkak të izolimit të hershëm në fazën e parë të përhapjes, shkruan The Guardian.

Megjithatë, rritja graduale e numrit të infeksioneve nga tetori i ka detyruar autoritetet që t’i kthejnë në fuqi masat kufizuese dhe të marrin vendim për një izolim të dytë, ku përfshihet ora policore gjatë natës. Kjo masë do të vlejë deri në fund të nëntorit ose deri në një vendim tjetër.

Të shtunën, qeveria i ashpërsoi masat edhe më tej duke i mbyllur shkollat fillore dhe çerdhet nga e hëna për dy javët e ardhshme. Mësimi nga largësia është zbatuar që më parë në shkolla të mesme dhe universitete.

Të premten, Greqia i regjistroi 3.038 infeksione të reja për një ditë, ndërsa një ditë më parë 3.316 të infektuar e 50 të vdekur për 24 orë, që ishin shifra rekorde që nga fillimi i pandemisë.

(Kosova Sot Online)