Kronologji e një konflikti: Armenia kishte okupuar territore jashtë Karabakut më 1993 dhe 1994

  • G.G /
  • 14 November 2020 - 14:37
Kronologji e një konflikti: Armenia kishte okupuar territore jashtë Karabakut më 1993 dhe 1994

Përplasja e këtij viti e Azerbajxhanit dhe Armenisë për Nagorno-Karabakun dhe territore përreth tij nuk është e para dhe ka gjasë të mos jetë as e fundit. Mes këtyre dy vendeve ekziston një histori e gjatë konfliktesh për territor.

Sidoqoftë, në periudhën moderne, përplasjet e armatosura mes dy ish-republikave sovjetike filluan në shkurt 1988 dhe zgjatën deri në vitin 1994, kur u arrit një armëpushim.

Parlamenti i enklavës së Nagorno-Karabakut në atë periudhë kishte votuar që të ndahet nga Azerbajxhani dhe t’i bashkohet Armenisë. Kjo kërkesë fillimisht ishte një nismë paqësore, por tensionet u rritën pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Përleshjet ndëretnike shpërthyen pak kohë pasi kuvendi rajonal i Karabakut votoi për bashkimin e kësaj enklave me Armeninë më 20 shkurt 1988. Gjatë kësaj periudhe, shumica armene e shpalli Republikën e Nagorno-Karabakut, e cila nuk njihet nga komuniteti ndërkombëtar as sot e asaj dite.

Lufta e plotë shpërtheu në dimrin e vitit 1992. Ndërmjetësimi ndërkombëtar nga disa grupe, përfshirë OSBE-në, nuk ishte i suksesshëm dhe nuk solli marrëveshje armëpushimi. Në pranverën e vitin 1993, forcat armene pushtuan territore edhe jashtë Nagorno-Karabakut, duke rritur rrezikun që në konflikt të përfshihen edhe shtete tjera.

Nga fundi i luftës më 1994, armenët kishin kontroll të plotë në enklavë dhe gjithashtu mbanin nën kontroll rreth 9 për qind të territorit të Azerbajxhanit jashtë Nagorno-Karabakut. Këtë vit, mes palëve u nënshkrua një marrëveshje armëpushimi, e ndërmjetësuar nga Rusia, por pjesë të mëdha të territorit të Azerbjaxhanit, jashtë rajonit Nagorno-Karabak, mbetën nën pushtimin armen.

Vija e kuqe paraqet kufirin e Karabakut, ndërsa ngjyra e kaftë territorin azer të pushtuar nga Armenia që nga viti 1994

Gjatë luftimeve të periudhës 1988-1994, sipas vlerësimeve, janë vrarë nga 28 mijë deri në 28 mijë persona nga të dyja palët e konfliktit. Armenia ka raportuar rreth 6.000 ushtarë të vrarë, ndërsa Azerbajxhani mbi 11.500.

Përleshje mes këtyre dy shteteve pati edhe pas kësaj marrëveshjeje. Në mars të vitit 2008, mes armenëve etnikë dhe forcave azere u zhvilluan luftimet më të ashpra që nga armëpushimi i vitit 1994.

Pas këtij incidenti, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me 39 vota për dhe 7 kundër, e miratoi rezolutën 62/243, me të cilën kërkohej tërheqja e të gjitha forcave armene nga territoret e okupuara të Azerbajxhanit.

Luftime më të vogla pati edhe në shkurt të vitit 2010, kur ishin vrarë tre ushtarë armenë, dhe në prill e tetor të vitit 2011, kur ishin vrarë katër ushtarë armenë dhe dy azerë. Gjatë tërë vitit 2011, numri i ushtarëve armenë të vrarë shkoi në 10.

Viktima në përleshje pati edhe në vitet 2012, 2013 dhe 2014. Gjatë kësaj periudhe u vranë dhjetëra ushtarë armenë dhe azerë në incidente që ndodhën kohë pas kohe, në muaj të ndryshëm.

As viti 2015 nuk kaloi pa të vrarë. Gjatë luftimeve sporadike mes palëve rivale, këtë vit u vranë 42 ushtarë armenë e 5 civilë si dhe 64 ushtarë të Azerbajxhanit.

Viti pasues, 2016, ishte edhe më i përgjakshëm. Gjatë këtij viti u vranë së paku 92 ushtarë armenë dhe 31 deri 92 (sipas burimeve të ndryshme) ushtarë azerë. Në përleshje u rrëzuan një helikopter dhe 13 dronë të forcave azere, ndërsa një tank u shkatërrua.

Përleshjet kufitare vazhduan edhe në vitet 2017 dhe 2018, kur në raste të ndryshme pati viktima nga të dyja palët, ndërsa gjatë vitit 2019 nuk u regjistruan viktima apo incidente për t’u regjistruar në arkivin e historisë.

Kulmi i përleshjeve ndodhi në vitin 2020. Episodi i parë i luftimeve erdhi në korrik, kur 12 ushtarë azerë, një civil dhe pesë armenë u vranë. Në një përleshje tjetër më të vogël më 16 shtator u vra një ushtar armen, ndërsa pesë ditë më vonë një ushtar azer.

Luftimet në shkallë më të madhe nisën më 27 shtator dhe vazhduan deri më 10 nëntor. Gjatë kësaj periudhe u vranë më së shumti njerëz që nga lufta e viteve të nëntëdhjeta. Armenia e shpalli ligjin e luftës dhe kërkoi mobilizim të ushtrisë. Të njëjtën ditë, Kuvendi i Azerbajxhanit gjithashtu e shpalli ligjin e luftës dhe vendosi orë policore në disa qytete.

Armenia ka bërë të ditur se gjatë përleshjeve që nisën në shtator e që vazhduan deri në nëntor i janë vrarë mbi 1.200 ushtarë e disa civilë, ndërsa Azerbajxhani nuk e ka publikuar shifrën e ushtarëve të vrarë nga radhët e veta.

(Kosova Sot Online)