Partia e Lulzim Bashës: Deputeti i PDK’së bëri deklarata të fabrikuara për llogari të Edi Ramës

  • E.K /
  • 15 November 2020 - 13:40
 Partia e Lulzim Bashës: Deputeti i PDK’së bëri deklarata të fabrikuara për llogari të Edi Ramës

Partia Demokratike e Shqipërisë ka thënë se asnjë pretendim i Edi Ramës dhe deputetit të PDK’së kundër Lulzim Bashës nuk qëndron sa i përket përfshirjes së liderit aktual të PD’së në hetimin e krimeve të luftës në Kosovë.

Nëpërmjet një deklarate për media, PD ka thënë se akuzat e Bekim Haxhiut të PDK’së janë të pabaza dhe po bëhen për t’i ndihmuar Edi Ramës për zgjedhjet e prillit të ardhshëm.

“Deklaratat e fabrikuara, si ato të deputetit Bekim Haxhiu apo të tjera në Tiranë dhe në Prishtinë nuk kanë asnjë të vërtetë. Ato bëhen për llogaritë elektorale të Edi Ramës, duke dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës dhe të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e PD’së.

Bekim Haxhiu lëshoi akuza në drejtim të Lulzim Bashës se kishte marrë pjesë në bastisjen e ish-zyrtarit SHIK’ut, Latif Gashi, kur UNMIK’u e kishte arrestuar më 2002 për krime lufte. Madje, Haxhiu tha se Basha ishte përgjegjës pse humbi një provë – bllok i shënimeve – ku dëshmohej pafajësia e Gashit.

Por, PD e Shqipërisë shpreh keqardhjen që deputeti i PDK Bekim Haxhiu i është bashkuar taktikave së mashtrimit dhe fabrikimeve të Edi Ramës, duke u bërë kështu pjesë e sulmeve të ulta e të rreme ndaj opozitës në Shqipëri.

“Sulmet politike të Edi Ramës me deklarata të fabrikuara nuk janë kundër Lulzim Bashës, por kundër shqiptarëve në Kosovë dhe në Shqipëri. Kreu i opozitës shqiptare është nderuar dhe do të vazhdojë të nderohet në Kosovë si një ndër shqiptarët që ka ndihmuar Kosovën në çastet më kritike të saj dhe ka bërë gjithçka për pavarësinë e saj”, thuhet më tej në deklaratën e PD’së.

Sipas PD’së, të vetmit që flasin sot për shtëpi të verdhë dhe që i fryjnë përçarjes mes shqiptarëve, janë Edi Rama, Aleksandër Vuçiç dhe Ministria e Jashtme e Federatës Ruse.

“Duke u nisur nga deklaratat e deputetit Bekim Haxhiu në Klan Kosova, Partia Demokratike informon se Lulzim Basha, në asnjë ditë të punës së tij në UNMIK, nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndaj anëtarëve apo drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë fakt e ka konfirmuar të shtunën edhe ish-kryeprokurori i EULEX, Williamson”.

Sipas PD’së, ky mashtrim u përgenjeshtrua po kështu nga ish-kryeprokurori i EULEX, Williamson, i cili deklaroi se masakra  e Krushës së Madhe u hetua plotësisht dhe ishte një nga akuzat kryesore në dosjen e aktakuzës për krime lufte ndaj Sllobodan Millosheviçit.

“Në vend që të fabrikojë deklarata të rreme kundër Lulzim Bashës, Edi Rama duhet t’u japë llogari shqiptarëve të Kosovës pse si Kryeministër i Shqipërisë dhe si Kryetar i OSBE-së po hesht ndaj kërcënimeve për luftë si në Nagorni-Karabak të Presidentit serb Aleksandër Vuçiç apo për kërcënimin e Ivica Daçiç ndaj atyre që jepnin informacion mbi varrezat masive të shqiptarëve të zhdukur, të cilat ende gjenden sot në Serbi. Edi Rama duhet t’u thotë shqiptarëve të Kosovës pse si Kryetar i OSBE-së nuk bëri asgjë për të kërkuar mision faktmbledhës për krimet serbe në Kosovë si dhe për shpopullimin e Luginës së Preshevës”, thuhet më tej në deklaratë.

(Kosova Sot Online)