Deputetja e AAK-së kërkon që të lihen foltoret partiake: Të bashkohemi për vendin
Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albena Reshitaj, ka kërkuar bashkim për vendin, pas konfirmimit të aktakuzave nga Gjykata Speciale kundër ish-krerëve të UÇK-së.
Përmes një shkrimi në Facebook, ajo ka thënë se në këto ditë plagët e secilit janë të tronditura thellë.
“Këto ditë kur plagët në zemrat e secilit prej nesh janë tronditur kaq thellë, në këto ditë kur tronditur janë edhe varret e atyre që në moshën më të njomë braktisën ëndrrat rinore për të mbrojtur familjet, shtëpitë e lirinë e nëpërkëmbur ndër shekuj, heshtja nuk duhet zënë vend, duhet të flasim madje duhet të flasim të gjithë me një gjuhë”, ka shkruar ajo.
Më tej ajo ka thënë se më shumë se kurrë është momenti për zgjim të kujtesës kolektive, thirrje të mendjes për unitet e ndërgjegjësim të të gjithëve e veçmas të politikë bërësve në vend.
“Në këtë kohë kur e tërë bota është vënë në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve në betejë me një armik të njerëzimit siç është virusi Covid 19, armiqtë e shqiptarëve nuk harruan të shfrytëzojnë edhe këtë situatë për të na sulmuar si mos më keq. Si gjithmonë në historinë e dhimbshme të shqiptarëve, armiqtë e njëjtë që fatkeqësisht për një pjesë të politikanëve tanë që në verbësinë e shkurtpamësinë e tyre, vazhdojnë të jenë armiq të padukshëm mu si ky virus”, shtoi ajo.
Reshitaj, ka thënë se kur e gjithë bota ka kthyer fuqinë njerëzore e profesionale në luftë me virusin e në mbrojtje të shëndetit të qytetareve, sipas saj, populli ynë po rrezikon të pësojë jo vetëm nga simptomat virusale Covid 19 por edhe nga sulmet e armiqve tanë.
Ajo i ka ftuar të gjithë edhe pse kohë pandemie të gjejmë mënyrën ti kundërpërgjigjemi provokimeve.
“Dua të ftoj të gjithë, ndonëse në kohë pandemie duke mos rrezikuar shëndetin e asnjërit të gjejmë mënyrën ti kundërpërgjigjemi provokimeve, t’i tregojmë botës që plagët tona të pashëruara po sulmohen sërish nga ata që i shkaktuan dhe nga politika e atyre që mbi të njerëzishmen ushqehen me më të keqen dhe provokojnë e sulmojnë një popull liridashës edhe në kohë pandemie, atyre që vazhdojnë të injektojnë në gjenet e fëmijëve të tyre urrejtje, dhunë, luftë e shkatërrime”, tha ndër të tjera ajo.
(Kosova Sot Online)