Në QKUK nis puna për laboratorin e IVF-së, mbi gjysmë milioni euro investim

  • G.G /
  • 16 November 2020 - 10:47
Në QKUK nis puna për laboratorin e IVF-së, mbi gjysmë milioni euro investim

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka nisur procedura për realizimin e laboratorit dhe hapësirave tjera të nevojshme për shërbimin e frytnimit të asistuar mjekësor.

Në klinikën e cila udhëhiqet nga Dr. Jakup Ismajli, së shpejti mund të kryhet edhe shërbimi për frytnim të asistuar mjekësor ose siç njihet ndryshe IVF.

QKUK ka dhënë një kontratë për “Renovimin e Laboratorit të IVF-së me hapësirat përcjellëse në repartin e sterilitetit në Klinikën e Gjinekologjisë”.

Kontrata është e ndarë në dy lote në vlerë mbi gjysmë milioni euro. Me Lot 1 është shpërblyer grupi i operatorëve ekonomik “Termomontimi SHPK” dhe “NTSH Elektromontimi” në vlerë 566 mijë e 248 euro. Ndërkaq Lot 2 i është ndarë kompanisë “Zone Tech” në vlerë mbi 25 mijë euro.

Kjo do të jetë hera e parë që do të kryhet shërbimi i IVF-së në sektorin publik shëndetësor në Kosovë. Deri më tani janë disa klinika private që kryejnë këtë shërbim. Kujtojmë se shumica prej tyre janë përballë me një pezullim të punës 1 vjeçare për shkak të dyshimeve për kryerje të jashtëligjshme të transferit të qelizave. 

(Kosova Sot Online)