Dënimet për mosrespektim të masave, gjobat prej 35 deri në 2 mijë euro

  • G.G /
  • 16 November 2020 - 13:21
Dënimet për mosrespektim të masave, gjobat prej 35 deri në 2 mijë euro

Që nga e premtja, kur masat e reja hyn në fuqi, Policia ka dënuar rreth 1 mijë e 300 qytetarë. Gjobat, sipas ligjit, variojnë nga më e thjeshta 35 euro, deri te ato me nga 2000 euro për mosrespektim të masave.

Dafina Boja nga Peja është vetëm njëra nga më shumë se një mijë qytetarët që u dënuan për shkelje të masave anti-Covid.  Derisa ajo ishte duke u kthyer nga puna në shtëpi, pikërisht në kohën kur filloi ora policore, e njëjta nga Policia e Kosovës mori dënim në vlerë 200 euro.

Media ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës për numrin e gjobave që janë shqiptuar për shkelësit e masave anti-Covid, qysh nga hyrja në fuqi e këtij Ligji, pra nga e premtja.

Bazuar në të dhënat, Policia ka shqiptuar gjithsej 1 mijë e 295 gjoba për shkelësit e masave.

Sipas nenit 24 të ligjit për Parandalimin e Covid – 19’shit, personat fizikë që nuk e respektojnë orarin e caktuar për lëvizje, dënohen me 200 euro, ndërsa personat juridikë (pra bizneset, organizatat, etj) dënohen me 500 euro.

Në ndërkohë në vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës, Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse janë obliguar që të mbikëqyrin zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në zbatimit të Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.

Në këtë vendim është theksuar se për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore sipas Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës.

Paratë që mblidhen nga gjobat, sipas ligjit, derdhen në buxhetin e Kosovës.

Qeveria e Kosovës nga e premten, më datë 13 nëntor, ka vendosur masa të reja për parandalimin e përhapjes së virusit. Ka ndarë komunat në tri zona; në të kuqen hyjnë ato me numrin më të madh të rasteve, në të verdhen hyjnë ato ku rreziku s’është shumë i madh dhe në të gjelbrën komunat që kanë më pak raste.

Në zonën e kuqe është vendosur ora policore çdo ditë nga ora 19:00 deri në 5:00 e mëngjesit. 

(Kosova Sot Online)