Kompania amerikane thotë se vaksina e tyre është 95% efektive

  • G.G /
  • 16 November 2020 - 13:41
Kompania amerikane thotë se vaksina e tyre është 95% efektive

Kompania amerikane Moderna thotë se të dhënat paraprake tregojnë se vaksina e saj kundër COVID-19 është gati 95% efektive.

Rezultatet janë të ngjashme me ato të kompanive Pfizer dhe BioNTech, të cilat ditë më parë njoftuan se testimi i vaksinës së tyre ka rezultuar 90% efektiv në fazën finale, në të cilën janë përfshirë më shumë se 40 mijë njerëz.

Rezultatet e vaksinave të këtyre kompanive shtojnë besimin në rritje se zbulimet e tyre mund të ndihmojnë në përfundimin e pandemisë.

Kompanitë kanë përdorur një qasje mjaft inovative dhe eksperimentale për të zbuluar vaksinat e tyre.

Moderna thotë se është një “ditë e shkëlqyer” dhe ata planifikojnë të aplikojnë për miratim në mënyrë përdorimi i vaksinën të fillojë në javët e ardhshme. Testimi përfshiu 30.000 njerëz në SHBA.

“Efektiviteti i përgjithshëm ka qenë i jashtëzakonshëm … është një ditë e mrekullueshme”, tha për BBC News, Tal Zaks, zyrtari kryesor mjekësor në Moderna.

Ende nuk e dihet se sa do të zgjasë imuniteti nga vaksinat, pasi duhet më shumë kohë për të përcjellur gjendjen e vullnetarëve që kanë marrë pjesë në testim.

Gjithashtu nuk ka të dhëna se sa mirë funksionon në grupmoshat më të vjetra, të cilat janë më të rrezikuara nga COVID-19.

Dhe, siç transmeton BBC, ende nuk dihet nëse vaksina thjesht ndalon njerëzit të sëmuren rëndë, ose nëse i ndalon ata gjithashtu të përhapin virusin.

Më herët drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar se, vetëm vaksina nuk do të jetë e mjaftueshme për të mposhtur pandeminë e koronavirusit të ri.

“Vaksina do të plotësojë mjetet e tjera që kemi dhe nuk do t’i zëvendësojë ato”, tha Ghebreyesus në një takim të Këshillit Ekzekutiv të OBSH-së.

Prandaj, ai bëri thirrje që masat për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit, të tilla si testimi, karantina dhe monitorimi i kontakteve, të mos shfuqizohen para kohe.

(Kosova Sot Online)