Besnik Tahiri ndeshet me protestuesit e revoltuar: Ju jeni ma hajna, nesër marrim vendim në Qeveri

  • G.G /
  • 16 November 2020 - 15:21
Besnik Tahiri ndeshet me protestuesit e revoltuar: Ju jeni ma hajna, nesër marrim vendim në Qeveri

Punëtorët e Telekomit kanë dalë afër objektit të Qeverisë së Kosovës për të protestuar për shkak të bllokimit të llogarive të kësaj ndërmarrjeje.

Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, ka dalë jashtë objektit të Qeverisë bashkë me ministrin e Ekonomisë, Blerim Kuçin dhe u ka thënë punëtorëve se Qeveria nesër duhet ta marrë një vendim për këtë çështje.

“Blerimi e dha pozicionin e vet. Kjo nuk është temë hajgare, është temë serioze. Qeveria duhet me dhënë zgjidhje, askush tjetër. Blerimi e ka arritë që me e përgatit marrëveshjen. Ne duhet me marrë këtë vendim dhe këtë vendim duhet me marrë shpejt, më së largu nesër”, ka thënë Tahiri.

Për protestuesit që thirrën “hajna”, Tahiri ka thënë se ata janë hajna vetë.

“Për ata që po thojnë hajna, unë ju këqyri në sy, jeni ma hajna se unë krejt. Unë nuk jam hajn, jam njeri përfaqësues. Nesër Qeveria duhet me ia dhënë kësaj një zgjidhje”, ka thënë Tahiri.

Ai më pas ka kërkuar falje nëse dikush është ndier i ofenduar me përgjigjen e tij, por ka përsëritur se “unë s’jam hajn dhe s’lejoj me më thënë dikush hajn kurrë”.

“Tash do ta dërgoj një e-mail te qeveria, te kryeministri, që këtë punë me kry nesër në afatin më të shkurtër kohor. Jam me ju, ju kuptoj, edhe unë kam fëmijë si ju”, u ka premtuar Tahiri protestuesve.

Protestuesit e indinjuar e kanë pyetur Tahirin dhe ministrin e Ekonomisë, Blerim Kuçin se a i kanë marrë ata rrogat.

(Kosova Sot Online)