Duhet të ruhet në temperaturë -75 gradë, testohet transporti i vaksinës

  • E.K /
  • 17 November 2020 - 11:11
Duhet të ruhet në temperaturë -75 gradë, testohet transporti i vaksinës

Kompania farmaceutike, Pfizer njoftoi, të hënën, se do të testonte shpërndarjen e vaksinës së saj të koronavirusit në katër shtete të SHBA-së, përkatësisht në Rhode Island, Texas, New Mexico dhe Tennessee.

Pfizer deklaroi se vaksina e saj ishte mbi 90% efektive, por ende duhet të mbledhë më shumë të dhëna para se të mund të aplikojë në Administratën e Ushqimit dhe Barnave të SHBA.-së për autorizimin e përdorimit emergjent për vaksinën.

Një pjesë kryesore e këtij testimi do të vlerësojë se sa e vështirë është të transportosh një produkt që duhet të mbahet në kushte specifike dhe nën kapacitetin e ngrirjeve standarde, në një temperaturë ekstreme -75 gradë celcius.

Zyrtarë shëndetësorë shtetërorë dhe lokalë, përfaqësues të spitaleve dhe ekspertë të fushës kanë shprehur shqetësimin për vështirësinë e shpërndarjes së një vaksine që ka nevojë për ultra ftohje të vazhdueshme.

Pfizer deklaroi se këto katër shtete u zgjodhën për shkak të ndryshimeve të tyre në madhësi, larmishmërisë së popullsisë dhe mjediseve të tyre të ndryshme urbane dhe rurale.

Kujtojmë se kompania farmaceutike Pfizer deklaroi më herët se të dhënat paraprake nga vaksina e saj për koronavirusin tregojnë se ajo është më shumë se 90% efektive, një përqindje shumë më e lartë sesa pritej./A2CNN

(Kosova Sot Online)