Qeveria e Serbisë e angazhon në një pozitë në Beograd ish-ministrin serb në Kosovë, Nenad Rikallon

  • G.G /
  • 18 November 2020 - 09:31
Qeveria e Serbisë e angazhon në një pozitë në Beograd ish-ministrin serb në Kosovë, Nenad Rikallon

Ish-ministri serb në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikallo, me vendim të Qeverisë së Serbisë është emëruar ushtrues i detyrës së ndihmësit të drejtorit të të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Beograd.

Pasi ishte shkarkuar nga pozita e ministrit në Kosovë, Rikallo kishte punuar në Ministrinë e Bujqësisë së Serbisë që nga marsi i vitit të kaluar, si sekretar shtetëror.

Më pak se një muaj para se ta merrte postin në Ministrinë e Bujqësisë në Serbi, Rikallo ishte kreu i Ministrisë së Bujqësisë në Kosovë.

Në fillim të shkurtit të vitit të kaluar, kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj e largoi atë nga posti i ministrit pas një presioni të madh nga kundërshtarët politikë. Shkarkimi erdhi pasi qytetarë të Prishtinës në lagjen “Dardania” e akuzuan Rikallon se kishte torturuar e maltretuar shqiptarë gjatë luftës.

Shkarkimi i Rikallos gjithashtu ishte kusht i Partisë Socialdemokrate në opozitë për ta votuar buxhetin për vitin 2019.

Në fund të dhjetorit të vitit 2018, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti një aktakuzë kundër Rikallos për veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës zyrtare ose autorizimit”. 

(Kosova Sot Online)