Ish- ushtar i UÇK-së thotë se ka refuzuar të pranojë dy ftesa nga Specialja, "Më arrestojnë me 28 nëntor"

  • E.K /
  • 18 November 2020 - 09:46
Ish- ushtar i UÇK-së thotë se ka refuzuar të pranojë dy ftesa nga Specialja,

Faik Zogaj, ish- ushtar i UÇK-së thotë se ka refuzuar të pranojë dy ftesa nga Specialja.

Ftesën e dytë tha se e ka marrë në 22 nëntor dhe e ka refuzuar ama është vënë në dijeni se nëse nuk i përgjigjet kësaj ftese brenda datës 28 nëntor do të arrestohet.

Sipas Zogajt kjo gjykatë nuk kërkon kriminelët serb por vetëm luftëtarët.

“Ne nuk po i ikim drejtësisë, po kërkojmë drejtësi,” – u shpreh ai.

Akuzat e ngritura janë konkretisht për vrasjen e dy serbëve, siç tregoi dhe ish-luftëtari.

Në intervistën  ai pohoi se kishte parë shtëpi në fshatin e tij të djegura, njerëz të vrarë dhe në gjaknxehtësi e sipër ka djegur 5-6 shtëpi serbësh por nuk pranoi akuza të tjera.

Faik Zogaj përmendi rastin ‘Panda’ dhe theksoi se është diçka e pranuar nga vetë serbët, fakti që ata kanë vrarë fëmijët e tyre vetëm për të akuzuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, madje akuzoi se uniformat e UÇK-së janë keqpërdorur nga serbët vetëm për të njollosur imazhin e tyre.

Ai mohoi të ketë ndarje fetare ashtu siç akuzohet.

“Me ligjet e luftës, unë personalisht vetëm një veprim të vogël të bëja pa urdhrin e komandantit, do të isha arrestuar prej policisë tonë se dhe ne kemi pasur policinë tonë ushtarake, prandaj kjo njollosje që i është bërë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një padrejtësi shumë e madhe,” – u shpreh Zogaj

“Na kanë quajtur dhe bandë kriminale ama po të ishim ne bandë kriminale, sot, asnjë serb nuk e kishim lënë në Kosovë,” – shtoi ai.

“Uniformë me uniformë”, kështu e cilësoi Zogaj luftën e UÇK-së sepse sipas tij raportet me civilët serb edhe sot e kësaj dite janë shumë të mira.

Teksa tregoi se edhe vetë ka plagë në trup si shenja nga lufta dhe konkretisht probleme me këmbën tregoi se kjo është prova e pastër se po të kishin pasur mjek që të bënte transplantin e organeve ashtu siç akuzohet UÇK-ja, minimalisht ushtarët e saj do i kuronte pa ju lënë pasoja gjithë jetën.

“Dick Marty është i paguar nga Rusia dhe Serbia dhe kjo Gjykatë nuk do dalë asgjëkundi nëse ecën me ato pretendime,” – tha ish-ushtari i UÇK-së.

Pyetur nëse beson se ky gjyq do të mbyllet pa faktuar asgjë, Zogaj tregoi se mendon se gjatë seancës së datës 18 nëntor si Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Hashim Thaçi, do të lirohen për mungesë provash.

(Kosova Sot Online)