Në Gjermani protestojnë kundër planeve të Angela Merkelit për pandeminë

  • E.K /
  • 18 November 2020 - 11:40
Në Gjermani protestojnë kundër planeve të Angela Merkelit për pandeminë

Disa mijëra njerëz u mblodhën të mërkurën në qendër të Berlinit për të protestuar kundër planeve të kancelares Merkel që t’i japë kompetenca qeverisë për të vendosur masa kufizuese kundër përhapjes së koronavirusit.

Pritet që më vonë gjatë ditës, dy dhomat e kuvendit t’i miratjnë ligjet me të cilat qeveria lejohet të vendosë masa kufizuese rreth kontakteve sociale, rregullave për vendosjen e maskave, pirjes së alkoolit në vende publike, mbylljes së dyqaneve dhe ndërprerjes së ngjarjeve sportive.

Ndonëse shumica e gjermanëve e pranojnë këtë version të izolimit të lehtë për ta luftuar valën e dytë të pandemisë së koronavirusit, kritikët thonë se ligji i jep tepër kompetenca qeverisë dhe i rrezikon të drejtat civile të qytetarëve pa miratimin e kuvendit.

Policët duke e arrestuar një protestues të mërkurën në Berlin (Foto: Reuters)

Partia e së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD), madje e ka krahasuar ligjin e ri me një akt të vitit 1933, i cili ia kishte hapur rrugën diktaturës naziste të Adolf Hitlerit, shkruan Reuters.

Në protestë, protestuesit nuk kishin vendosur maska dhe nuk e respektonin distancën sociale. Shumë policë e bllokuan marshimin e protestuesve që të mos i afrohen shumë ndërtesës së kuvendit.

Ndryshe, të mërkurën, Gjermania regjistroi mbi 17.500 raste të reja të infeksioneve dhe numri i përgjithshëm i rasteve shkoi në 833.307, ndërsa 13.119 persona kanë vdekur që nga fillimi i pandemisë.

(Kosova Sot Online)