Gjendje e rëndë në Austri, mbi 100 të vdekur nga COVID-19 për një ditë

  • G.G /
  • 18 November 2020 - 12:13
Gjendje e rëndë në Austri, mbi 100 të vdekur nga COVID-19 për një ditë

Të mërkurën, Austria ka shënuar rritje dramatike të rasteve ditore të infeksioneve dhe viktimave të sëmundjes COVID-19.

Pasi shifrat u stabilizuan pak të martën me 5.984 raste të reja të personave të infektuar dhe 58 viktima, shifrat u rritën shumë një ditë më pas, shkruan portali austriak, “Heute”.

Në 24 orët e kaluara, në Austri u regjistruan 7.091 raste të reja të infeksioneve dhe 109 persona vdiqën nga koronavirusi, sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore.

Kështu, numri i përgjithshëm i viktimave të pandemisë në shtetin e Evropës Qendrore shkoi në mbi 2.000. Gjatë kësaj periudhe u shëruan 5.944 persona, që është numër më i vogël se shifra e rasteve të reja.

Aktualisht në Austri për koronavirus në spitale janë duke u trajtuar 3.911 pacientë, 43 më shumë se një ditë më parë. Gjatë kësaj periudhe u rrit edhe numri i pacientëve në repartet e kujdesit intensiv dhe shkoi në 682, 24 më shumë se të martën.

Një fakt shqetësues është mbushja e spitaleve dhe zvogëlimi i numrit të shtretërve të lirë në repartet e kujdesit intensiv. Ky numër ra për 261 dhe tash është vetëm 508, ndërsa numri i shtretërve të lirë në repartet e zakonshme të kujdesit ra për 1.431 dhe tash është vetëm 3.534.

(Kosova Sot Online)