Deputeti i LDK’së: Po e marrim në qafë Kosovën

  • E.K /
  • 18 November 2020 - 13:02
Deputeti i LDK’së: Po e marrim në qafë Kosovën

Komisioni për Buxhet dhe Transfere ka shqyrtuar sot Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, si dhe Raportin me rekomandime për Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Me këtë rast, deputeti i LDK-së, Fatmir Rexhepi, gjatë raportimit, ka akuzuar të gjitha partitë politike, të cilat sipas tij nuk po punojnë drejt për vendin.

Ai ka thënë se deputetët shqiptarë e kanë sjellë vendin në situatën aktuale dhe se nuk kanë faj as Lista Serbe e as pakicat tjera.

“Ne si deputet e kemi sjell veten në këtë situatë, nuk kanë faj pakicat, as Lista Serbe, e askush. Ne jemi duke e marrë në qafë Kosovën, në bashkë, LDK-VV, PDK e Aleanca. Ne nuk jemi duke punuar drejt edhe mirë, qysh duhet në situata të caktuara”, tha Rexhepi.

 Tutje ai tha se duhet të bëhen bashkë për të gjetur një kompromis, dhe se duhet të lihen anash garat politike.

“Nëse e duam këtë Kosovë, duhet me i mbledh mend, duhet të punojmë bashkë për çështje të caktuara, pastaj gara politike le të bëhet ku do të dëshiron”, ka thënë ai.

Rexhepi ka thënë se do ta përkrahë projektbuxhetin në komision, me shpresë që qeveria do të ulet me grupet tjera dhe të mos vijë situata që të mos votohet buxheti në Kuvend.

(Kosova Sot Online)