Miftaraj lavdëron punën e mbrojtjes së Veselit në Gjykatë Speciale

  • G.G /
  • 18 November 2020 - 13:16
Miftaraj lavdëron punën e mbrojtjes së Veselit në Gjykatë Speciale

Njohësi i çështjeve juridike, Ehat Miftaraj, ka lavdëruar punën e përfaqësuesve ligjorë për mbrojtjen e ish-kryekuvendarit, Kadri Veseli, i cili bashkë me ish-anëtarët e UÇK’së po e mbanë konferencën statusore pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.

Miftaraj, përmes një postimi në llogarinë e tij në ‘Facebook’, e ka parë mbrojtjen e Veseli si mbrojtje pa emocione e retorikë.

“Mbrojtja e Kadri Veselit shembull i një përfaqësimi adekuat, profesional dhe argumentues pa emocione dhe retorikë”, ka shkruar ai.

Njohësi i çështjeve juridike, tutje, vonesën e ofrimit të lëndëve të dosjes nga Prokuroria e Specializuar e ka parë si cënim të sigurisë juridike.

“Strategjia e Prokurorisë për të mos ofruar dosjet e lëndës në kohë të arsyeshme dhe kërkesa për afat të shkurtër kohor për mbrojtjen cenon sigurinë juridike, barazinë e armëve në procedurë gjyqësore dhe një gjykim të drejtë dhe të pavarur”, ka deklaruar ai.

Prokuroria Speciale ka kërkuar kohë që t’i nxjerrë provat kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Avokatët e ish-krerëve të UÇK-së kanë kërkuar që provat të nxirren më herët se afati 30 ditor, ndërsa Prokuroria ka thënë se s’është keq që afati të shtyhet edhe pak.

“Nxjerrja e dokumentacionit shihet si vënie në lëvizje e hetimeve… Në momentin që nxirret informacioni, mund të filloni menjëherë me hetimin tonë”, ka thënë David Hooper, avokat i Hashim Thaçit.

Kërkesë të njëjtë ka pasur edhe Ben Emmerson, avokat i Kadri Veselit. Ai ka kërkuar që materiali t’u ofrohet atyre në formën e duhur.

“Nëse nuk e marrim dokumentacionin në formën e duhur, do të vonohej çështja… Prokuroria ta bëjë një udhërrëfyes për planin”, ka thënë Emmerson.

“Përvoja tregon se realitetet nuk përkojnë me pritshmëritë dhe procedurat që paraqiten në fillim të seancës gjyqësore. Pozicioni ynë është të shohim se si ky plan do të fillojë të zbatohet dhe se sa i drejtë është ai”, ka thënë Emmerson.

Ndërsa, avokati i Rexhep Selimit ka thënë se Prokuroria duhet ta ketë parasysh madhësinë e materialit dhe të nisë sa më shpejt nxjerrjen e provave.

(Kosova Sot Online)