Pfizer-i tani thotë se efikasiteti i vaksinës kundër COVID-19 është 95 për qind

  • G.G /
  • 18 November 2020 - 13:26
Pfizer-i tani thotë se efikasiteti i vaksinës kundër COVID-19 është 95 për qind

Kompanitë “Pfizer” dhe “BioNTech” kanë pretenduar se efikasiteti i vaksinës së tyre kundër koronavirusit është 95 për qind, ndonëse më parë deklaruan se kjo shifër është rreth 90 për qind.

Njoftimi i tyre vjen vetëm pak ditë pasi kompania “Moderna” tha të hënën se vaksina e saj është 94.5 për qind efektive, shkruan Daily Mail.

Kompania “Pfizer” e bëri pretendimin e ri përmes një deklarate, duke thënë se testimi në njerëz i vaksinës tashmë ka përfunduar. Zyrtarët e saj thanë se brenda disa ditësh do të aplikojnë për leje që vaksina të jetë e qasshme për publikun.

Sipas kësaj kompanie, tash janë shfrytëzuar dy muajt e nevojshëm për të nxjerrë të dhëna të sigurisë, që duhen për të aplikuar për licencë nga Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve e ShBA-së.

Prodhuesi i ilaçeve tha se efikasiteti i vaksinës së zhvilluar në bashkëpunim me partnerin gjerman “BioNTech” ishte i qëndrueshëm në personat e moshave dhe etnive të ndryshme dhe se vaksina nuk ka efekte anësore të mëdha, shenjë që tregon se vaksina mund të ofrojë imunitet në nivel të gjerë global.

Efikasiteti i kësaj vaksine te personat mbi moshën 65-vjeçare,që janë më të rrezikuar nga koronavirusi, është mbi 94 për qind.

(Kosova Sot Online)