I jepet leja për kthim në operim aeroplanit famëkeq “Boeing 737 Max”

  • E.K /
  • 18 November 2020 - 14:59
I jepet leja për kthim në operim aeroplanit famëkeq “Boeing 737 Max”

Administrata Federale e Aviacionit e Shteteve të Bashkuara të mërkurën ka lëshuar një urdhër me të cilin i hapet rruga aeroplanëve të tipit “Boeing 737 Max” për të transportuar udhëtarë civilë. Ky vendim erdhi rreth 20 muaj pasi këta aeroplanë u hoqën nga përdorimi si pasojë e dy aksidenteve fatale, ku mbetën të vdekur 346 persona.

Ky model i aeroplanit, që ishte më i shituri i prodhuesit të njohur amerikan “Boeing”, u largua nga operimi në mars të vitit 2019 pasi dy aeroplanët të këtij tipi u rrëzuan në pjesë të ndryshme të botës, me ç’rast vdiqën 346 njerëz.

Pas hetimeve u zbulua se një veçori e sigurisë, që përdorej me qëllim që aeroplani të mos ngrihej shumë shpejt kishte bërë që “hunda” e aeroplanit të ulej në mënyrë jo të duhur, duke i shkaktuar kështu të dyja aksidentet, shkruan BBC.

Procesi i dhënies së miratimit për kthim në operim të këtij modeli ka zgjatur shumë më shumë sesa ishte planifikuar në fillim dhe i ka kushtuar kompanisë “Boeing” mbi 20 miliardë dollarë. Shumë kompani ajrore kishin porositur blerje të këtij modeli, por ato u anuluan pas aksidenteve fatale dhe ndërprerjes së prodhimit të këtij aeroplani.

Vendimin për kthimin e këtij aeroplani në fluturime nuk e kanë pritur mirë disa familjarë të viktimave të dy aksidenteve ku ishte i përfshirë ky model. Ata thanë se kompania “Boeing” ka bërë gabime në dizajnimin e versionit të ri të aeroplanit “737 Max” dhe se Administrata Federale e Aviacionit ka bërë gabim që e miratoi kthimin në fluturim të versionit origjinal të këtij aeroplani.

(Kosova Sot Online)