Artisti nga Serbia, nxjerr sekretet dhe vrasjet e shqiptarëve nga serbët

  • G.G /
  • 19 November 2020 - 11:43
Artisti nga Serbia, nxjerr sekretet dhe vrasjet e shqiptarëve nga serbët

Vizatimet e Vladimir Miladinoviç bazuar në prova në lidhje me përpjekjen e autoriteteve serbe për të fshehur vrasjet e shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës u shfaqën në Beograd në një ekspozitë të mbështetur nga BIRN të titulluar “Kontra-Arhiv”.

Veprat e artit janë bazuar në dokumente nga arkivi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë rreth trupave të shqiptarëve të Kosovës që u gjetën në varre masive në një kompleks të Ministrisë së Brendshme serbe në Batajnica, në periferi të Beogradit, dhe në një hetim të policisë serbe për gjetjen e një kamioni frigoriferik plot me trupa viktimash në lumin Danub.

Ekspozita gjithashtu përmban vepra arti të bazuara në artikuj gazetash në lidhje me zbulimin e trupave të shqiptarëve të Kosovës në kamion.

Ekspozita u mbajt si pjesë e skemës së granteve të Drejtësisë Tranzicionale në Ballkan të BIRN, e cila u krijua për të inkurajuar gazetarë, akademikë, artistë dhe studiues që të eksplorojnë arkivat e gjykatave që janë marrë me gjyqe krimesh lufte në Ballkan, mbështetur nga Programi Rajonal i Sundimit rë Ligjit Matra.

Artisti Vladimir Miladinoviç ka krijuar edhe më parë vepra arti bazuar në provat e Gjykatës së Hagës dhe ka mbajtur një ekspozitë me imazhe bazuar në ditarin e ish-komandantit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës Ratko Mlladiç në qershor të këtij viti në Beograd.

“Kur pashë thirrjen e BIRN për propozime për të krijuar punë të bazuar në arkivat e gjykatës, m’u duk sikur ishte fiks për mua, sepse unë jam marrë me arkivin e Gjykatës së Hagës për shumë vite dhe jam përpjekur t’i përdor ato materiale në një farë mënyre në punën time artistike”, tha Miladinoviç në hapjen e ekspozitës.

Në hapje, aktorët Masa Djordjeviç dhe Nikola Stankoviç lexuan dëshmi të gjykatës të dhëna nga të afërmit e viktimave dhe nga njerëzit që morën pjesë në transportimin e trupave nga Kosova në Serbi dhe fshehjen e tyre.

Koordinatorja e programit Drejtësia Tranzicionale në Ballkan i BIRN, Jovana Prusina, tha se ekspozita ishte e rëndësishme për shkak të temës që ajo trajton.

(Kosova Sot Online)