Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq kërcënohet me vdekje

  • E.K /
  • 19 November 2020 - 11:45
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq kërcënohet me vdekje

Pjesëtarët e Agjencisë serbe të Informacionit dhe Sigurisë (BIA), në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Teknologjisë së Lartë dhe Ministrinë e Brendshme të Serbisë, mbrëmë arrestuan M.P. (30) nga Paraçini, për shkak të një dyshimi të bazuar se kërcënoi në Facebook presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi BIA.

I dyshuari akuzohet për përdorimin e rrjetit social Facebook, ndër të tjera, për të njoftuar dhe thirrur drejtpërdrejt për vrasjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai në publikim deklaroi se vazhdimisht po shikonte Vuçiqin nëpërmes të nishanit të snajperit. Mbi fotografinë të cilën e postoi, shihet Vuçiqi, presidenti malazes Milo Gjukanoviq dhe anëtari i presidencës së BeH Milorad Dodik, ai shkroi: “Këta të dy u larguan, ndërsa ty Aleksandar Vuçiq do të eliminojë snajperi. E di edhe vet, ajo pikë e kuqe e cila po të përcjellë në dhomën e fjetjes kur e ndal dritën”.

“Vuçiq, unë vetëm të shikoj, e ti nuk di se ku jam. Ti mua nuk më sheh, por unë të shoh nëpërmes të nishanit optik”, ka porositur më tutje në publikimin kërcënues.

Siç pretendon BIA, i dyshuari është ndaluar dhe me konsultim me prokurorin kujdestar, do t’i caktohet ndalimi për 48 orë.

(Kosova Sot Online)