Ministria e Drejtësisë: Projektligji për Gjykatën Komerciale është drejt finalizimit

  • G.G /
  • 19 November 2020 - 12:33
Ministria e Drejtësisë: Projektligji për Gjykatën Komerciale është drejt finalizimit

Zyra për Komunikim në Ministrin e Drejtësisë, ka bërë të ditur se Grupi Punues për hartimin e Projektligjit për Gjykatën Komerciale, ka mbajtur takimin e radhës dhe finalizues me ç ’rast janë shqyrtuar të gjitha komentet dhe propozimet e pranuara gjatë fazës së konsultimeve.

Grupi Punues i udhëhequr nga Zëvendësministri i Drejtësisë, Florian Dushi, me pjesëmarrje të akterëve vendor dhe ndërkombëtarë, duke përfshirë KGJK-në, gjyqtarë të fushës përkatëse, përfaqësues nga Zyra e BE-së, nga Programi i USAID-it për Drejtësi Komerciale, si dhe ekspertë vendor dhe ndërkombëtar, ka shqyrtuar komentet duke u fokusuar në disa prej çështjeve që kanë ngritur interesim të palëve të interesit, siç janë: mjetet e jashtëzakonshme juridike, kompetencat e kryetarit të gjykatës, kriteret për emërimin e gjyqtarëve, kryetarit, si dhe numrin minimal të gjyqtarëve të gjykatës.

Pas shqyrtimit të komenteve dhe propozimeve, dhe mbi bazën e arsyetimeve, Grupi Punues ka reflektuar për disa prej shqetësimeve të ngritura, siç janë kriteret për kryetarin dhe gjyqtarët e Gjykatës Komerciale, duke mundësuar kështu një garë transparente.

Ministria e Drejtësisë i falënderon të gjitha palët e interesit, me theks të veçantë Zyrën e BE-së, USAID-in, komunitetin e biznesit dhe shoqërinë civile, të cilët me komentet dhe propozimet e tyre kanë kontribuar në avancimin e versionit fillestar të Projektligjit.

(Kosova Sot Online)