Turqi: Lëshohen fletarrestime për mjekë e avokatë, i cilëson të dyshuar për terrorizëm

  • E.K /
  • 20 November 2020 - 11:37
Turqi: Lëshohen fletarrestime për mjekë e avokatë, i cilëson të dyshuar për terrorizëm

Autoritetet turke kanë lëshuar fletarrestime për 101 persona, përfshirë avokatë dhe mjekë, si pjesë e hetimeve që ato i cilësojnë si të lidhura me terrorizmin. Lajmin e bëri të ditur një burim i sigurisë.

Forcat e sigurisë e nisën operacionin nga provinca juglindore, Diarbakir, duke i kërkuar personat e dyshuar në katër qytete dhe gjithsej 106 adresa banimi, tha ky burim.

Sipas këtij burimi, 74 persona të dyshuar tashmë janë arrestuar, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Besohet se të dyshuarit janë të lidhur me Kongresin e Shoqërisë Demokratike, të cilin burimi e cilëson si degë legjislative të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, e cila në Turqi konsiderohet si grup i ndaluar me ligj.

Agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu, tha se autoritetet kanë gjetur armë, dokumente dhe materiale dixhitale në adresat e personave të dyshuar.

Milena Buyum nga organizata “Amnesty Interantional” tha se arrestimi i avokatëve bie ndesh me bisedimet e fundit për reforma juridike, të cilat gjithashtu janë përmendur nga presidenti turk, Rexhep Erdogan.

(Kosova Sot Online)