Zvicra shënon rreth 5.000 raste të reja të koronavirusit për një ditë

  • G.G /
  • 20 nëntor 2020 - 12:47
Zvicra shënon rreth 5.000 raste të reja të koronavirusit për një ditë

Gjatë 24 orëve të kaluara, në Zvicër u regjistruan 4.946 raste të reja të koronavirusit, bënë të ditur autoritetet shëndetësore të shtetit helvetik.

Kështu, numri i përgjithshëm i personave të prekur nga koronavirusi në shtetin me rreth 8.6 milionë banorë shkoi në 290.601, shkruan The Guardian.

Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe u regjistruan edhe 111 viktima të reja dhe shifra e përgjithshme e të vdekurve shkoi në 3.575.

Sistemit të ngarkuar shëndetësor në 24 orët e fundit iu shtuan edhe 252 pacientë me koronavirus nëpër spitale.

Javëve të fundit, pothuajse të gjitha shtetet evropiane janë prekur nga shtimi i rasteve me koronavirus dhe këtij trendi nuk i ka shpëtuar as Zvicra.

Pas përkeqësimit të gjendjes në të gjitha pjesët e kontinentit, shumë qeveri kanë vendosur t’i rikthejnë masat kufizuese që ishin vendosur fillimisht në mars të këtij viti e që kishin mbetur në fuqi për disa muaj.

(Kosova Sot Online)