MSH-ja lejon testimet diagnostike rapide për detektimin e antigjeneve të COVID-19

  • A.P /
  • 20 November 2020 - 16:33
MSH-ja lejon testimet diagnostike rapide për detektimin e antigjeneve të COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka njoftuar se tash e tutje në institucionet publike të Kujdesit Parësor Shëndetësor mund të kryhen edhe testet diagnostike rapide të antigjenit SARS COV.

Zemaj tha se sot ka nënshkruar plotësim-ndryshimin e Udhëzimit Administrativ nr. 04/2020-Kujdesi Parësor Shëndetësor, me të cilin përcaktohen institucionet publike të KPSh, standardet e organizimit, funksionimi, veprimtaritë, shërbimet shëndetësore si dhe kuadrot profesionale për ofrimin e shërbimeve shëndetësore në KPSh, si pjesë e sistemit unik shëndetësor në Republikën e Kosovës.

“E veçanta e këtij udhëzimi është se më këtë plotësim ndryshim, institucioneve shëndetësore publike të Kujdesit Parësor Shëndetësor, në kuadër të shërbimeve laboratorike, u mundësohet kryerja e testeve diagnostike rapide për detektimin e antigjenit për SARS COV-2 (diagnostikimin e Covid-19).

Kjo nënkupton se krahas testimeve serologjike për praninë e IgG dhe IgM, të cilat janë lejuar më herët në institucionet publike të KPSh-së, tash e tutje mund të kryhen edhe testet diagnostike rapide të antigjenit SAR COV”, ka shkruar Zemaj. 

(Kosova Sot Online)