Edhe i pastrehi gjobitet, pse doli nga shtëpia gjatë karantinës

  • S.A /
  • 21 nëntor 2020 - 07:27
Edhe i pastrehi gjobitet,  pse doli nga shtëpia gjatë karantinës

Një i pastrehë në Itali është gjobitur pasi gjatë karantinës ka dalë nga shtëpia. 63-vjeçari me emrin Pasquale është ndëshkuar me 280 euro gjobë në 19 nëntor nga Policia e Komos, për shkelje të masave antikoronavirus.

Efektivët e panë të moshuarin në qendër të qytetit, aty ku ai kishte zënë vend, dhe e gjobitën. Edhe pse zyrtarisht ka shtëpi, Pasquale Giudice ka 10 vite që jeton në rrugë dhe e mban frymën gjallë duke kërkuar lëmoshë.

Angelo Orsenigo, këshilltari rajonal i demokratëve në Komo, e konsideroi masën ndëshkuese “qesharake dhe mizore”.

“Është qesharake dhe mizore që të ndëshkohet një person që nuk ka se ku të futet për të respektuar karantinën. I kërkoj autoriteteve që ta tërheqin gjobën jo vetëm sepse është e pamundur që të paguhet nga i moshuari, por edhe për faktin se përforcon përshtypjen se Komo dhe institucionet e tij nuk kanë mëshirë për të varfërit në një moment kaq të vështirë që po kalojmë”, u shpreh Orsenigo.

(Kosova Sot Online )