Vjosa Osmani tregon arsyet e shkarkimit të Rikallos nga KQZ`ja

  • G.G /
  • 21 November 2020 - 15:36
Vjosa Osmani tregon arsyet e shkarkimit të Rikallos nga KQZ`ja

Ushtruesja e detyrës së presidentit , Vjosa Osmani është sqaruar pas shkarkimit të Nenad Rikallos në KQZ. Osmani tha se deri tek ky shkarkim ka ardhur pas angazhimit të tij në një pozicion publik në Qeverinë e Serbisë.

“Sot, në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe legjislacionin në fuqi ia kam ndërprerë mandatin e përfaqësuesit të Listës Serbe në KQZ, Nenad Rikalo, meqë ai ka marrë pozitë të lartë në të ashtuquajturën “Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë’.  Zyrtarët e emëruar në institucionet publike të Republikës së Kosovës kanë obligim primar t’i qëndrojnë besnik Kushtetutës sonë, Republikës sonë dhe institucionit ku ata punojnë. Duke u angazhuar në një pozicion publik në Qeverinë e Serbisë, Z.Rikalo ka shkelur integritetin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, betimin e dhënë me rastin e emërimit si dhe ka vënë në rrezik kushtetushmerinë e funksionimit të këtij institucioni”, ka shkruar ajo në një postim në “Facebook”.

Osmani theksoi se nuk do të dekretojë emra të cilët janë të angazhuar në pozita në Qeverinë e Serbisë.

“Prandaj, pas shkresës që më është dërguar nga KQZ-ja, ia kam ndërprerë mandatin si dhe kam kërkuar nga Lista Serbe që të propozojnë emrin e ri për përfaqësues të tyre në KQZ. Natyrisht që nuk do të dekretojë emra të cilët duke u angazhuar në pozita në Qeveri të Serbisë, kompromentojnë sovranitetin dhe funksionimin kushtetues të institucioneve tona të pavarura”, ka shkruar ajo. 

(Kosova Sot Online)