Kuvendi i Kosovës s’ka kuorum për të miratuar projektligjet

  • E.K /
  • 23 November 2020 - 12:03
Kuvendi i Kosovës s’ka kuorum për të miratuar projektligjet

Tashmë disa seanca plenare të Kuvendit të Kosovës, kanë dështuar për shkak të mungesës së kuorumit për të kaluar projektligjet.

Në mungesë të kuorumit ka dështuar të miratohet propozim-rezoluta e Lëvizjes Vetëvendosje për të pagjeturit.

Vetëm 31 deputetët e partisë së Albin Kurtit votuan pro saj, ndërsa grupet tjera parlamentare u përmbajtën nga votimi.

Krahas kësaj, të zgjedhurit e popullit dështuan të miratojnë edhe gjitha projektligjet tjera që ishin në rend të ditës.

Ndërkohë ushtruesi i detyrës së shefit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu edhe nga foltorja e Kuvendit kërkoi shkarkimin e zëvendëskryeministrit Driton Selmanajt për deklaratat e tij për të pagjeturit.

Deputeti Aliu tha se zëvendëskryeministri, Driton Selmanaj, nuk është i mirëseardhur në Kuvend.

“Çdo ditë që kalon, pa marrë masa konkrete për largimin e Driton Selmanajt nga pozicioni i zëvendëskryeministrit të Qeverisë është dëmtim, përveç edhe fyerje për viktimat. Andaj i apostrofuari, këtu në Kuvend ne konsiderojmë se nuk është i mirëseardhur dhe ky është qëndrim i yni si grup parlamentar”, ka thënë ai.

Në mungesë të kuorumit nuk u miratuan në parim Projektligji për të drejtën ndërkombëtare private, ai për Këshillim Ekonomiko-Social, Inspektoratin e Punës.

Krahas këtyre nuk pati vota as për Projektligjin për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike dhe Projektligjin për plotësim-ndryshimet e Ligjit për zgjedhje.

Deputetët në mbledhjen e sotme i vazhduan edhe për tre muaj mandatin Komisionit Hetimor për Hidrocentrale mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Kosovë.

(Kosova Sot Online)