Profil: Ismet Peja, robi që nuk u plak kurrë

  • E.K /
  • 23 November 2020 - 13:57
Profil: Ismet Peja, robi që nuk u plak kurrë

Ismet Peja, “robi” që nuk u plak kurrë, ikona e muzikës popullore, vdiq sot në moshë 83 vjeç.

Artisti nga Gjakova, që për mbi gjashtë dekada u morë me muzikë, Ismet Peja vdiq në orët e para të 23 nëntorit. Këtë e bëri të ditur djali i tij Visar Peja.

Kuvendi i Kosovës nisi seancën me një minutë heshtje, në nderim të astistit. Ai u kujtua sot nga krerët më të lartë shtetërorë dhe nga të gjithë që e deshën me vargjet e tij emblematike “robi s’plaket kur vjen koha, robi plaket kur do vetë”. Siç duket, Ismet Peja jetoi sipas këtij parimi. Këndoi pa u ndalur pavarësisht se vitet po ecnin.

Ismet Peja ishte këngëtar i këngëve të vjetra qytetare. Ai lindi në Gjakovë dhe është i biri i Musa Pejës, i cili poashtu ishte këngëtar i melosit shqiptar.

Që nga fëmijëria prej moshës 14 vjeçare ai është marrë me muzikë e sukseset më të mëdha i arriti në shoqërinë muzikore të Hajdar Dushit me të cilin kishte edhe prezantime të shumta në TVP dhe Radio Prishtinë.

Albumi i tij i parë doli në vitin 1986 me orkestrën e “Hajdar Dushit”. Gjerë tani ka publikuar një numër të madh të albumeve muzikore dhe 4 videokaseta.

Ndërkaq në vitin 2005 nxori një album me djalin e tij, këngëtarin Visar Peja.

Disa prej këngëve që ai i këndoi janë: Robi plaket kur do vete, Kush kërcen Napolonin, Po t’përbej pashë Perëndinë, Zambaku i Prizrenit, Te ura e Shiakut, e shumë të tjera.

Djali i tij, Visari, i cili shoqëronte babanë e tij në këndim, bëri të ditur se varrimi i Ismet Pejës bëhet sot.

“Me zemër të pikëlluar lajmërojmë të afërmit, miqtë, shokët dhe dashamiret, se me datë 23.11.2020 ndërroi jetë në moshën 83 vjeçare, babai, vëllai dhe gjyshi jonë i dashur Ismet (Musa) Peja.Varrimi i të ndjerit do të bëhet me datë 23.11.2020 (e hënë) në orën 15:00 në varrezat e qytetit në Gjakovë”, thuhet në njoftim.

Arsyeja e vdekjes së tij nuk është bërë ende e qartë, por megjithatë djali i tij ka treguar se ai kohët e fundit nuk ishte mire nga shëndeti për shkak disa problemeve shëndetsore.

Për këtë arsye të ndjerit iu është bërë edhe testi për virusin Covid-19, ku kishte rezultuar negativ.

Shumë figura të njohura të vendit kanë shprehur ngushëllimet e tyre për vdekjen e ikonës shqiptare, duke thënë kështu fjalët më të mira për të.

Njëra ndër ta ishte edhe Vjosa Osmani, ajo në një postim në llogarinë e saj në Facebook kishte thënë disa fjalë për të ndjerin.

“Robi s`plaket kur vje mosha, robi plaket kur do vetë”. Ky varg i këngës së njohur përmbledhë më së miri ecurinë jetësore të doajenit Ismet Peja, i cili sot mbylli sytë përgjithmonë.

Ai qëndroi për 63 vjet të tëra në skenën muzikore, duke e kultivuar me pasion muzikën e vjetër qytetare, e cila mbeti pa zërin e saj unik.

Këngët e tij do të mbeten një opus i çmuar për brezat, kurse vargu i kënduar nga ai “Për me le e për më vdekë, zoti ditën ta ka shkru”, do të jetë i përbotshëm!

Lamtumirë mjeshtër i këngës. T`u dëgjoftë zani përherë! Ka përfunduar Osmani.

(Kosova Sot Online)