Kosova furnizohet me pajisje mjekësore për menaxhimin e koronavirusit

  • E.K /
  • 23 November 2020 - 14:40
Kosova furnizohet me pajisje mjekësore për menaxhimin e koronavirusit

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka mbajtur takim me përfaqësuesit e UNOPS.

Me këtë rast, ministri ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me këtë zyrë lidhur me aktivitete që kanë të bëjnë me menaxhimin e Covid-19.

“Sot e nënshkruam një marrëveshje të rëndësishme për të ndihmuar në aktivitetet e prokurimit ndërkombëtar. Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar këtë marrëveshje mes dy institucioneve pas aprovimit nga Banka Botërore. Ky është një projekt emergjent për menaxhimin e pandemisë”, tha ai.

Tutje Zemaj tha se marrëveshja arrinë shumën prej 8 milionë eurove.

“Është vendosur që prokurimi të bëhet përmes agjencive të prokurimit ndërkombëtar. Parashihet prokurimi i pajisjeve mjekësore për menaxhimin e pandemisë si pajisje për stafin shëndetësor. Përfitues do të jenë qendrat e mjekësisë familjare e spitalet e përgjithshme. Marrëveshja përfshin një vlerë prej 8 milionë euro pagesë që do të bëhet me avancë”, shtoi Zemaj.

Shefi i Zyrës së UNOPS, Brendan Krienan tha se do të vazhdojnë përkrahjen e qytetarëve të Kosovës.

“Është me rëndësi të jemi këtu e të tregoj për përkrahjen tonë e cila do të vazhdojë për qytetarët e Kosovës. Kjo është një çështje kritike ndaj pandemisë”, tha ai.

(Kosova Sot Online)