Hungaria s’e dëgjon BE-në, do ta testojë vaksinën ruse

  • E.K /
  • 24 November 2020 - 10:40
Hungaria s’e dëgjon BE-në, do ta testojë vaksinën ruse

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, ka thënë se vendi i tij do ta çojë përpara procesin e testimit të vaksinës ruse kundër koronavirusit pasi javën e kaluar u bë vendi i parë që mori doza të vaksinës së quajtur “Sputnik V”.

Kryediplomati hungarez tha të hënën se dhjetë doza fillestare të kësaj vaksine do të testohen në Hungari për sigurinë dhe efikasitetin e tyre, shkruan Free Europe.

“Javën e kaluar arritën dhjetë doza të vaksinës në Hungari. Kjo dërgesë erdhi bashkë me dokumentacionin e nevojshëm në mënyrë që autoritetet hungareze të kryejnë testime që do t’i ndihmojnë shkecëtarët tanë për të vendosur nëse kjo vaksinë është e sigurt, efektive dhe a duhet të rekomandohet për popullin hungarez”, tha ministri Szijjarto.

Javën e kaluar, ky zyrtar i lartë njoftoi se një prodhues hungarez i ilaçeve është në bisedime me partnerët rusë për prodhimin e mundshëm të vaksinës “Sputnik V” edhe në Hungari, pavarësisht se kjo substancë nuk i është nënshtruar testimit masiv dhe nuk është vlerësuar nga Agjencia Evropiane e Ilaçeve.

Ministri hungarez gjithashtu tha se Hungaria – vend anëtar i BE-së – është gjithashtu në negociata me tre prodhues kinezë të vaksinave dhe ka blerë 2.8 milionë doza të një ilaçi kinez.

Sidoqoftë, Hungaria ka siguruar edhe 12 milionë doza të vaksinave kundër koronavirusit nga prodhues të ndryshëm në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara, përfshirë kompaninë britaniko-suedeze “AstraZeneca”.

(Kosova Sot Online)