Joe Bideni ia beson Departamentin për Sigurinë e Atdheut një imigranti

  • G.G /
  • 24 November 2020 - 11:51
Joe Bideni ia beson Departamentin për Sigurinë e Atdheut një imigranti

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka nominuar Alejandro Mayorkas-in për postin e sekretarit të Departamentit për Sigurinë e Atdheut.

Mayorkas është imigranti i parë dhe personi i parë me prejardhje latine që nominohet për postin e udhëheqësit të këtij departamenti me rëndësi të madhe shtetërore, shkruan NewYork Times.

Departamenti për Sigurinë e Atdheut është përgjegjës për shumicën e politikave kombëtare për imigracionin. Gjatë pushtetit të Trumpit, ky departament është kritikuar shumë për politikat e ashpra kundër imigrantëve.

“Nuk është detyrë e vogël që ta udhëheqësh Departamentin për Siguri të Atdheut, por unë do të punoj për rikthimin e besimit në institucione dhe për ta mbrojtur sigurinë tonë këtu në shtëpi”, shkroi Mayorkas në rrjetet sociale.

Avokati me prejardhje nga Kuba ka përvojë pune në këtë departament dhe më parë ka shërbyer si nënsekretar aty. Nëse konfirmohet në këtë post, Mayorkas do të jetë përgjegjës për zbatimin e ligjeve për migrim, por edhe për luftën kundër terrorizmit dhe kërcënimeve kibernetike që i kanosen vendit.

Ai më parë ka qenë drejtor i Agjencisë për Imigrim të Ligjshëm në këtë departament dhe është parë si kandidati më i mirë për ta stabilizuar atë.

(Kosova Sot Online)