Miliona amerikanë në udhëtime, ekspertët në alarm: Rritje dramatike e infektimeve

  • E.K /
  • 24 November 2020 - 14:11
Miliona amerikanë në udhëtime, ekspertët në alarm: Rritje dramatike e infektimeve

Miliona amerikanë po shpërfillin paralajmërimet e autoriteteve për të mos udhëtuar në prag të Ditës së Falënderimeve, e cila po ngre alarmin për rritje dramatike të infektimeve në vend, para se vaksinat premtuese të dalin në treg.

Edhe pse më të paktë në numër se vitin e kaluar, shumë amerikanë janë dyndur në aeroportet dhe autostradat rreth vendit.

Sipas Administratës së Sigurisë së Transportit, më shumë se një 1 milion pasagjerë kanë kaluar kontrollin e sigurisë në aeroportet amerikane vetëm të dielën.

“Ata duhet ta dinë se po rrezikojnë veten dhe familjarët. E di se në të tilla festash, është e dhimbshme të qëndrosh larg njerëzve të dashur, por duhet të durojmë pasi në të ardhmen nuk do të jetë kështu”, tha Anthony Fauci.

Festa e gjatë e falënderimeve, e cila nis që të enjten, është tradicionalisht periudha me më shumë qarkullim e vitit, dhe 2020 mund të mos bëjë përjashtim.

Ndërkaq, shifrat e infektimeve, vdekjeve e shtrimeve në spital vijojnë të rriten në SHBA. 1500 persona të tjerë humbën jetën në 24 orët e fundit, ndërsa shtrimet në spital janë shtuar me 50% në 2 javë.

Deri më tani, Covid-19 u ka marrë jetën më shumë se 257 mijë amerikaneve me mbi 12 milionë që janë testuar pozitivë që prej shpërthimit të pandemisë. Me shqetësim po vihet re edhe rritja e infektimeve mes fëmijëve, ndërsa në një javë u raportuan më shumë se 144 mijë raste.

(Kosova Sot Online)