Ministri i Shëndetësisë tregon se a do të ketë masa të reja në Kosovë

  • E.K /
  • 24 November 2020 - 14:50
Ministri i Shëndetësisë tregon se a do të ketë masa të reja në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj është pyetur sot nga mediat nëse në Kosovë do të ketë masa të reja ashtu siç ka paralajmëruar mbrëmë edhe kryeministri Avdullah Hoti.

Zemaj tha se vlerësimi për masa të reja bëhet në baza ditore dhe javore, derisa foli edhe për komunat që tashmë janë në zonë të kuqe.

“Vlerësimi bëhet në baza ditore, e kemi vlerësimin javor në vendim nga instituti dhe nga bordi këshillëdhënës, në bazë të atyre vlerësimeve ne do të shohim edhe vlerësimin e mëtutjeshëm të masave,. Qyteti i Gjilanit është zonë e kuqe është Kamenica, Vitia”, tha ai, duke bërë të ditur se do të shihet nëse do të ketë kufizime të reja.

“Do të shohim si do të veprojmë tutje. Nëse do të duhet të kemi kufizime, nëse nuk mund të menaxhohet infeksioni”, ka thënë Ministri.

Zemajt nuk i ka pëlqyer pyetja e mediave se pse në vizita të tilla ka tubime ndesh me vendimin e Qeverisë të më shumë se pesë personave.

Ministri i Shëndetësisë u arsyetua se këto janë takime për punë, e tha se nëse do të veprohej ashtu do të ju ndalohej edhe mediave që të grumbullohen për pyetje.

“Këto janë takime pune, atëherë e njëjta do të duhej të vlejë edhe për ju mediat, kështu që racionalizoni edhe pyetjet në aspektet e kryerjes së detyrave”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)