Haradinaj thotë se Haxhi Shala ndërroi 5 aeroplanë për të arritur në votimin e Rimëkëmbjes

  • A.P /
  • 24 November 2020 - 21:24
Haradinaj thotë se Haxhi Shala ndërroi 5 aeroplanë për të arritur në votimin e Rimëkëmbjes

Kryetari i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mësuar emrin e deputetit për të cilin vëllai i tij, njëherësh edhe bashkëpartiaku, Daut Haradinaj, deklaroi se ka ndërruar pesë aeroplanë për votimin e Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

Haradinaj, deklaroi se deputetit të AAK’së, Haxhi Shalës, i janë dashur të ndërrojë pesë aeroplanë, me kosto të tij, që të vijë e ta votojë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

“E kishe përmend Dauti rastin e deputetit Haxhi Shala. Ai ka qenë në intervistim në Hagë, deputeti Haxhi Shala, i ka ra kah ka mujtë veç me ardhë në seancë me e votu Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Ka ndërru disa aeroplanë në kosto të vet, me pare të veta”, tha ai.

Një pohim të tillë e kishte bërë edhe Daut Haradinaj, kishte thënë se për votim të këtij projektligjit, njërit nga deputetëve të tij i janë dashur t’i ndërrojë pesë aeroplana.

“Në asnjë seancë nuk kemi mungu asnjë deputet. Pesë aeroplana i ka ndërru një deputet për me mbërri me e votu Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, nënkryetari i LDK’së, Gazmend Muhaxheri, tha se përgjatë seancës së nesërme në Kuvend do të votohet ky ligj.

Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike ka ngecur në lexim të dytë, i cili është vënë për votim shtatë herë. 

(Kosova Sot Online)