OKB-ja paralajmëron krime lufte në Etiopi, ultimatumi i qeverisë afër fundit

  • G.G /
  • 25 November 2020 - 09:34
OKB-ja paralajmëron krime lufte në Etiopi, ultimatumi i qeverisë afër fundit

Kombet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim për krime të mundshme të luftës në Etiopi pasi ushtria e këtij vendi kërcënoi se do të fillojë një sulm në kryeqytetin e rajonit Tigray, Mekelle.

Ultimatumi që forcat qeveritare ua kanë vendosur rebelëve për t’u dorëzuar do të përfundojë pas disa orësh të mërkurën, shkruan BBC.

Luftimet mes forcave qeveritare dhe rebelëve në rajonin verior të shtetit të dytë në Afrikë për numrin më të madh të popullsisë kanë vazhduar për gati tri javë.

Raportohet se qindra persona janë vrarë, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë kanë ikur në Sudanin fqinj për shkak të dhunës.

Grupet për ndihma kanë frikë se konflikti mund të shkaktojë krizë humanitare dhe mund ta destabilizojë tërë rajonin e Afrikës Lindore.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të bashkuara të martën mbajti një takim për këtë çështje, por pas përfundimit të tij nuk u publikua asnjë deklaratë.

Raportohet se shtetet afrikane kanë kërkuar më shumë kohë për ta lejuar vazhdimin e përpjekjeve diplomatike të Unionit Afrikan për ta zgjidhur këtë konflikt.

Të dielën, kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed, u dha ultimatum 72-orësh forcave rebele në Tigray, duke u bërë thirrje që të dorëzohen për shkak se, sipas tij, ata tashmë janë në një pikë pa kthim.

(Kosova Sot Online)