Kjo kompani ka kërkuar miratimin për vaksinën e saj kundër COVID-19

  • E.K /
  • 25 November 2020 - 10:03
Kjo kompani ka kërkuar miratimin për vaksinën e saj kundër COVID-19

Një kompani kineze e ilaçeve të mërkurën njoftoi se ka kërkuar miratim nga autoritetet për ta hedhur në treg vaksinën e saj kundër koronavirusit, njoftuan mediet shtetërore.

Nënmenaxherja e përgjithshme e kompanisë “Sinopharm”, Shi Shengyi, tha se kompania ka mbledhur të dhëna nga shtetet kryesore që i kanë kryer testimet e vaksinës së saj dhe rezultatet pritet të jenë të favorshme.

Më herët, kjo kompani tha se i ka dorëzuar të dhënat e testimit klinik të fazës së tretë të vaksinës së saj te Administrata Shtetërore Kineze e Ushqimit dhe Ilaçeve dhe është në proces të ofrimit të të dhënave më të hollësishme.

Pritet që kompania kineze t’i publikojë të dhënat nga faza e tretë e testimit të vaksinës pasi ta marrë miratimin nga qeveria, shkruan Anadolu.

“Të dhënat tona vlerësohen nga departamente përkatëse duke i ndjekur protokollet në mënyrë edhe më të rreptë sesa në disa vende perëndimore dhe ne jemi në komunikim të ngushtë me OBSh-në”, tha përfaqësuesja e kompanisë “Sinopharm”.

Muajin e kaluar, Kina pretendoi se vaksinat eksperimentale të saj kundër sëmundjes COVID-19 nuk kanë shfaqur efekte anësore.

Sipas zyrtarëve kinez, ky shtet ka 13 vaksina të mundshme që kanë hyrë në fazën e testimit në njerëz, përfshirë katra që tashmë janë në fazën e tretë, që është edhe faza përfundimtare e testimit.

(Kosova Sot Online)