Gjermania kërkon që tërë BE-ja t’i mbyllë qendrat e skijimit, ky shtet është kundër

  • E.K /
  • 26 November 2020 - 09:28
Gjermania kërkon që tërë BE-ja t’i mbyllë qendrat e skijimit, ky shtet është kundër

Gjermania po kërkon marrëveshje brenda Bashkimit Evropian për t’i mbajtur të mbyllura qendrat e skijimit deri në janar në përpjekje për ta luftuar përhapjen e koronavirusit.

“Do të them haptazi se nuk do të jetë lehtë, por do të provojmë”, tha kancelarja Angela Merkel pas bisedës që pati me udhëheqësit rajonalë të Gjermanisë.

Ky lajm erdhi në kohën kur ekonomia më e fuqishme evropiane i zgjati masat e izolimit të pjesshëm deri më 20 dhjetor, shkruan BBC.

Disa nga vatrat e hershme të përhapjes së koronavirusit ishin pikërisht në qendra skijimi dhe kjo ndikoi që virusi të përhapej në mbarë kontinentin.

Kryeministri italian, Giuseppe Conte, tashmë i ka dhënë përkrahje shtyrjes së hapjes së sezonit të skijimit, por e theksoi nevojën për një zgjidhje të përbashkët evropiane.

“Nëse Italia vendos t’i mbyllë të gjitha qendrat e skijimit pa përkrahje nga Franca, Austria dhe vendet tjera, atëherë turistët italianë do të shkonin jashtë dhe ka rrezik që do ta sillnin virusin në atdhe”, tha ai.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, bëri të qartë të martën se qendrat e skijimit në vendin e tij do të qëndrojnë të mbyllura deri në fund të vitit.

Sidoqoftë, Austria është e shqetësuar me planin e BE-së. Ministri i Financave i këtij shteti ka thënë se nëse BE-ja i detyron vendet që t’i mbyllin qendrat e skijimit, duhet të paguajë kompensim për humbjet, që vlerësohet se do të jenë miliardëshe.

(Kosova Sot Online)