Operatori i një “dhome të bisedave” online dënohet me 40 vjet burgim për shantazh

  • E.K /
  • 26 November 2020 - 09:53
Operatori i një “dhome të bisedave” online dënohet me 40 vjet burgim për shantazh

Një operator i një “dhome të bisedave” online në Kore të Jugut, është dënuar sot me 40 vjet burgim, pasi kishte shantazhuar disa gra, përfshirë edhe vajza të mitura, duke u kërkuar të bëjnë video e më pas i shiste të tjerët.

Gjykata në Seoul ka dënuar 24-vjeçarin Cho Ju-bin, për shkelje të ligjeve për mbrojtje të miturve e po ashtu për përfshirje në një rrjet kriminal të organizuar, ka njoftuar zëdhënësi i gjykatës Kim Yong Chan.

Në gjykatë është treguar se si Cho ka përdorur metoda të ndryshme për të joshur e më pas për të shantazhuar një numër të madh të viktimave, duke i detyruar të bëjnë video me përmbajtje seksuale. Më pas videot ai i shiste te personat tjerë.

“Ai ka zbuluar veçanërisht identitetet e shumë viktimave dhe u ka shkaktuar dëme të pariparueshme atyre”, është thënë nga gjykata.

Cho ka thënë se i ka mashtruar viktimat të bëjnë videot, por nuk u ka bërë shantazh atyre e nuk i ka detyruar. Ai ka detyruar disa nga viktimat të dëshmojnë në gjykatë.

Gjykata ka thënë se ka vendosur që ta izolojë Chon nga shoqëria për një periudhë të gjatë, duke marrë parasysh qasjen e tij dhe seriozitetin e krimit.

Cho dhe pesë bashkëpunëtorë të tij u arrestuan në mars për shantazh ndaj 74 viktimave, duke i detyruar të bëjnë video me përmbajtje seksuale, përfshirë 16 të miturave. Ato më pas i kanë shpërndarë nëpërmjet aplikacionit Telegram, ku përdoruesit kanë paguar me kriptovaluta për të shikuar ato nga viti 2019 deri këtë vit.

Prokuroria e ka quajtur grupin e Chos, grup kriminal prej 38 anëtarëve. Të enjten, gjykata në Seoul ka dënuar edhe pesë bashkëpunëtorë të Chos, një prej tyre 16-vjeçar, me së paku 15 vjet burgim.

(Kosova Sot Online)