Përgjegjësit për vdekjen e civilëve në Palestinë e Jemen nominohen për Nobelin për Paqe

  • E.K /
  • 26 November 2020 - 10:44
Përgjegjësit për vdekjen e civilëve në Palestinë e Jemen nominohen për Nobelin për Paqe

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe Princi i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed Bin Zayed Al Nahyan, të cilët fajësohen për vdekjen e mijëra civilëve gjatë sulmeve në Palestinë dhe Jemen, janë nominuar për Çmimin Nobel për Paqe.

Al Nahyan dhe Netanyahu u nominuan për çmimin prestigjioz për nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes vendeve të tyre, shkruan Anadolu.

Raportohet se këta dy politikanë janë nominuar për Nobel nga fituesi i këtij çmimi në vitin 1998, Lord David Trimble, i cili kishte dhënë ndihmë për arritjen e paqes në Irlandën Veriore.

Nominimi i Netanyahut dhe Al Nahyanit për një çmim për paqe është në kundërthënie me veprimet dhe vendimet e tyre politike. Këta dy liderë llogariten përgjegjës për vdekjen e mijëra civilëve në disa konflikte, përfshirë Palestinën, Jemenin dhe Libinë.

Al Nahyan është figurë e njohur në Pranverën Arabe me politikën e shtypjes së palëve të ndryshme dhe përkrahjen e ofruar për përfaqësuesit e regjimeve të kaluara.

Nën udhëheqjen e tij, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë ndërhyrë ushtarakisht në luftën civile të Jemenit, ndërsa ndërhyrje ka pasur edhe në Libi.

Sipas Kombeve të Bashkuara, mbi 100.000 njerëz kanë vdekur deri më tani në luftën civile të Jemenit, ku Emiratet e Bashkuara Arabe kanë një rol të rëndësishëm në koalicionin ushtarak.

Në bazë të një raporti të një delegacioni të udhëhequr nga OKB-ja, të publikuar në shtator të këtij viti, vlerësohet se të gjitha palët e konfliktit në Jemen, përfshirë Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, i kanë shkelur ligjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe ka dëshmi të mjaftueshme që palët kanë kryer krime lufte.

Gjatë udhëheqjes së Izraelit nga kryeministri Benjamin Netanyahu, rreth 3.500 palestinezë, përfshirë  342 gra dhe 799 fëmijë, janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë lënduar gjatë sulmeve të forcave izraelite. Këto të dhëna janë publikuar nga organizata izraelite për të drejtat e njeriut, B’Tselem.

(Kosova Sot Online)