Angela Merkel tregon se deri kur do të jenë masat kufizuese kundër koronavirusit në Gjermani

  • E.K /
  • 26 November 2020 - 11:58
Angela Merkel tregon se deri kur do të jenë masat kufizuese kundër koronavirusit në Gjermani

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, tha në parlamentin e këtij vendi se masat kufizuese kundër koronavirusit do të jenë në fuqi së paku deri në fund të dhjetorit dhe me gjasë edhe vitin e ardhshëm.

“Duke e marrë parasysh numrin e lartë të infeksioneve, ne vlerësojmë se kufizimet që janë në fuqi para Krishtlindjes do të vazhdojnë të jenë deri në fillim të janarit, qartazi në shumicën e pjesëve të Gjermanisë”, tha ajo.

Merkeli gjithashtu konfirmoi se gjermanët do të lejohen të mblidhen në grupe prej më së shumti dhjetë personave gjatë Krishtlindjes. Megjithatë, ajo bëri thirrje që të mbahet mend faksi se janë rreth 27 milionë gjermanë më të dobët që nuk mund të mbrohen nga virusi.

Të enjten, Gjermani regjistroi 22.268 raste të reja të koronavirusit për një ditë, ndërsa për këtë periudhë u regjistruan edhe 389 të vdekur, duke e çuar në 15.160 numrin e përgjithshëm të viktimave.

Mbrëmë vonë, kancelarja Merkel u pajtua me udhëheqësit rajonalë të 16 shteteve federale për t’i zgjatur masat kufizuese deri më 20 dhjetor, por rregullat do të lehtësohen gjatë Krishtlindjes për të mundësuar atmosferë festive në familjet gjermane.

Shefi i stafit në qeverinë gjermane, Helge Braun, paralajmëroi se masat kufizuese mund të jenë në fuqi edhe në muajt e parë të vitit të ardhshëm.

“Para vetes kemi muaj të vështirë të dimrit. Kjo do të vazhdojë deri në mars. Pas marsit, unë jam optimist, sepse ndoshta do të kemi mundësi të vaksinojmë më shumë njerëz dhe do të jetë më lehtë të mbahet një numër i ulët i infeksioneve në pranverë”, tha ai.

(Kosova Sot Online)