Anulohet vendimi përmes të cilit përfitonin bizneset e mafio-oligarkut Blerim Devolli në Maltë

  • E.K /
  • 26 November 2020 - 12:58
Anulohet vendimi përmes të cilit përfitonin bizneset e mafio-oligarkut Blerim Devolli në Maltë

Komisioni i Ndihmës Shtetërore e ka anuluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për t’u dhënë tarifa nxitëse bizneseve të Blerim Devollit.

Ky komision ka gjetur se skema e aprovuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë për tarifa nxitëse për 20 megavat energji solare është e kundërligjshme.

“Komisioni i Ndihmës Shtetërore ka gjetur se skema e aprovuar nga ZRRE, është e kundërligjshme, duke qenë se ka marrë vendim në lidhje me të, pa e njoftuar dhe pa pasur autorizim të Komisionit të Ndihmës Shtetërore për përshtatshmërinë e saj me ligjin, duke shkelur kështu nenin 3 të Ligjit për Ndihmën Shtetërore”, thuhet në komunikatën e këtij komisioni.

Komisioni i Ndihmës Shtetërore e ka ndaluar duke mos e autorizuar skemën E ZRRE-së.

“Komisioni i Ndihmës Shtetërore pasi që ka konstatuar se skema e ZRrE-së nuk ka përmbushur kushtet e përgjithshme (relevante) të përcaktuara me Udhëzuesin e BE-së për ndihmën shtetërore për mbrojtjen e mjedisit dhe energjinë 2014-2020 (EEAG) 1 , bazuar në nenin 14 (1.3) i Ligjit Nr. 05/L-100 për Ndihmën Shtetërore, vendosi që skema “Tarifa nxitëse për prodhimin shtesë të 20 megavat të energjisë diellore/solare në Republikën e Kosovës” është ndihmë shtetërore e ndaluar dhe nuk e ka autorizuar atë”, thuhet në vendimin e Komisionit.

Po kështu, Komisioni ka kërkuar nga ZRRE-ja që të mos e zbatojë këtë skemë.

“Komisioni i Ndihmës Shtetërore përmes këtij vendimi obligon ZRrE-në që të mos zbatojë skemën mbështetëse në fjalë. Gjithashtu, ZRrE merr për obligim për të njoftuar Komisionin e Ndihmës Shtetërore, në lidhje me hapat e ndërmarrë pas pranimit të këtij vendimi”, thuhet në vendim.

Tarifat nxitëse, si skemë e ZRRE-së për mbështetjen e prodhimit të energjisë së ripërtritshme, së fundmi kanë qenë materiali me të cilin është fuqizuar monopoli i Blerim Devollit.

Pejani Blerim Devolli është pronar i disa bizneseve të regjistruara në Maltë, si vend tashmë i njohur për fshehjen e fitimeve të bizneseve nga mbarë bota, e përmes të cilave kishte përfituar nga skema e ZRRE-së.

Bizneset e regjistruara në Maltë, i kanë ndihmuar Blerim Devollit që ta zgjerojë në hapësirë të paparashikueshme monopolin e tij. Ai ka përfituar tarifa nxitëse për prodhimin e 16.7 megavatëve energji solare. Një park solar me kapacitet prej 6 megavatëve ishte lëshuar në prodhim në tetor të vitit 2018. Prapa këtij parku solar qëndrojnë dy biznese të Blerim Devollit që janë ‘shpërblyer’ me tarifa nxitëse prej 136.4 eurosh për 12 vjet.

Me vendim të bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), katër biznese të Blerim Devollit po kështu kishin përfituar tarifa nxitëse prej 85.5 eurosh për megavat. Përmes këtyre tarifave, ZRRE-ja ua siguron investitorëve shitjen e gjithë energjisë së prodhuar për 12 vjet me një çmim të paracaktuar.

Blerim Devolli është i njohur për pronësi mbi disa biznese të mëdha në Kosovë dhe privatizime kundërthënëse siç ishte Fabrika e Amortizatorëve. Devolli ishte pronar i Operatorin Virtual “Z-Mobile”, për të cilin ishte ngritur edhe një komision hetimor nga Kuvendi i Kosovës pas konstatimeve nga Kuvendi se Telekomi i Kosovës ishte dëmtuar nga kontrata e nënshkruar me këtë operator. 

(Kosova Sot Online)