QKUK s’ka furnizim me material për analizën e vitaminës D, pacientët drejtohen në klinika private

  • A.P /
  • 26 nëntor 2020 - 16:22
QKUK s’ka furnizim me material për analizën e vitaminës D, pacientët drejtohen në klinika private

Deri në vitin e ardhshëm, të gjithë qytetarët të cilët duan ta kryejnë analizën e vitaminës D, nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Përkundër që udhëzohen nga punëtorët shëndetësorë për ta bërë këtë analizë, ata do të duhet t’i drejtohen klinikave private, pasi shteti nuk po ua siguron atë falas.

Analiza e vitaminës D në klinikat private kushton 15 deri në 20 euro. Drejtori i Klinikës së Biokimisë, në QKUK, Shemsi Veseli, ka treguar, se furnizimi për kryerjen e kësaj analiza, është shumë i kushtueshëm.

Përkundër kërkesave të qytetarëve për ta kryer atë në sektorin publik, ai thotë se një gjë e tillë nuk do të jetë e mundur tani. “Vitaminën D ne nuk po e kryejmë, nuk ka kontratë për të. Vitamina D kushton shumë”, ka thënë ai. Veseli është shprehur se me planifikimet që kanë bërë, e kanë paraparë që këtë analizë të vazhdojnë ta kryejnë gjatë vitit të ardhshëm.

“Me planifikimin e ri për vitin 2021, ne e kemi parë edhe vitaminën D. Po shpresoj që në vitin 2021 të ketë furnizim me të, edhe pse ka shpenzime shumë të mëdha”, ka thënë ai.

Furnizimi me këtë analizë, do të varet edhe nga gjendja me pandeminë Covid-19. Veseli ka thënë se nëse përmirësohet gjendja me pandeminë, atëherë do të kryhen analizat që janë me prioritet, por nëse do të vazhdoj të rritet numri i rasteve me këtë virus, atëherë nuk do të ketë hapësirë për kryerjen e këtyre analizave.

Përndryshe, derisa numri i pacientëve që kryejnë analiza në këtë klinikë është i madh, ai ka thënë se punëtorët shëndetësorë po rrezikohen nga infektimi me Covid-19. Sipas Veselit, ka pasur raste kur pacientët nuk u kanë treguar se janë me Covid. “5-6 mjek janë infektuar në Klinikën e Biokimisë. Pacientët vijnë të papërpunuar.

Ka pas shumë raste me Covid që i kemi trajtuar ne, disa na kanë treguar se janë të infektuar, por ka pasur raste kur nuk na kanë treguar”, ka thënë ai. Përndryshe, në Klinikën e Biokimisë, vit pas viti ka probleme me furnizim me material për analizën e vitaminës D.

Për shkak të kërkesave të mëdha për kryerjen e kësaj analize, thuhet se materiali shpenzohet shpejtë. Ndërsa, edhe furnizimi me këtë material është bërë rrallë. Derisa po përballemi me pandeminë Covid-19, mungesa e vitaminës D te qytetarët, është vlerësuar shqetësuese.

Mungesa e kësaj vitamine mund të shkaktojë edhe sëmundje, ku përfshihen edhe ato infektive. Ndërsa, është vlerësuar se mungesa e vitaminës D te disa persona, mund të shfaq rrezik më të lart për infektimin e tyre me virusin Covid-19.

(Kosova Sot Online)