Edhe një ditë punë kot e deputetëve të Kosovë

  • G.G /
  • 27 November 2020 - 13:03
Edhe një ditë punë kot e deputetëve të Kosovë

Ka përfunduar seanca e Kuvendit të Kosovës pas gati dy orë punime.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të miratohen 35 pika të mbetura nga 27 seancat e kaluara, të cilat kishin dështuar të miratoheshin si rezultat i mungesës së vendimmarrjes.

Edhe në këtë seancë 31 pika kanë dështuar të miratohen si rezultat i mungesës së kuorumit ani pse në sallë pati pjesëmarrje të mjaftueshme të deputetëve, mirëpo jo të gjithë morën pjesë në votim.

Në ndërkohë Kuvendi ka arritur të miratojë dy pika të rendit të ditës

Kuvendi i Kosovës me 75 vota për, asnjë abstenim dhe asnjë kundër ka miratuar rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin vjetor të Auditimit për vitin 2019.

Deputetët me 68 vota për kanë miratuar edhe rezolutën nga debati parlamentar në lidhje me sensibilizimin dhe masat që duhet të ndërmerren nga Qeveria dhe institucionet përgjegjëse në luftën kundër kancerit të gjirit.

Seanca e sotme e Kuvendit po shoqërohet me mungesë të kuorumit në vendimmarrje, ku në shumicën e pikave të rendit të ditës nuk po marrin pjesë fare në votim.

Ndaj kësaj seance ka reaguar ish-deputeti Dardan Sejdiu në një postim në “Facebook”.

“Paloni katallogat, shpërbejeni kuvendin dhe shkoni ne zgjedhje!”, ka shkruar ai.

Në ndërkohë Visar Ymeri nga PSD-ja ka thënë se kjo seancë është thirrur më shumë për të bërë fushatë për zgjedhjet e së dielës në Podujevë, e jo për raportim të Ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

“Si u pa nga jashtë: interpelanca për MPB ishte për zgjedhjet në Podujevë. Kështu keqpërdorën nënshkrimet e anëtarëve të Kom. Ata kishin thirrur Min. e jo Kryetarin e Podujevës. Kryesuesja dha hapësirë për keqpërdoruesit – sillej si pronare e Kuvendit”, ka shkruar ai në Facebook.

(Kosova Sot Online)