Qesharake: “Dada” e Bjellorusisë, Rusia, e akuzon Perëndimin për ndërhyrje në këtë shtet

  • G.G /
  • 27 November 2020 - 13:18
Qesharake: “Dada” e Bjellorusisë, Rusia, e akuzon Perëndimin për ndërhyrje në këtë shtet

Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Lavrov, e ka akuzuar Perëndimin për ndërhyrje në Bjellorusi, pas takimit me presidentin autoritar të këtij vendi, Aleksander Lukashneko, i cili është përballur me protesta të vazhdueshme.

Kryediplomati rus zhvilloi takime të enjten me presidentin Lukashenko dhe zyrtarë të lartë të Bjellorusisë në kryeqytetin Minks. Kjo vizitë e Lavrovit po shihet si shfaqja më e re e përkrahjes ndaj regjimit.

“Perëndimi po përdor metoda të ndyra të të ashtuquajturave revolucione me ngjyra, përfshirë manipulimin e opinionit publik, përkrahjen e forcave që janë haptazi kundër qeverisë dhe promovimin e radikalizmit”, tha Lavrov.

Mijëra protestues që po e kërkojnë dorëheqjen e Lukashenkos kanë dalë rrugëve të Minskut çdo fundjavë që nga 9 gushti, kur u mbajtën zgjedhjet presidenciale që u kontestuan dhe nuk u njohën nga Bashkimi Evropian.

Protestuesit besojnë se fituese e vërtetë e këtyre zgjedhjeve ishte kandidatja e opozitës, Svyatlana Tsikhanouskaya, e cila kandidoi në vend të bashkëshortit të burgosur, shkruan Free Europe.

Pavarësisht kritikave të shumta nga fuqitë evropiane dhe Shtetet e Bashkuara për manipulim të zgjedhjeve në Bjellorusi, Moska e ka vazhduar përkrahjen ndaj diktatorit Lukashenko që nga fillimi i protestave. Zyrtarët e lartë rusë kanë zhvilluar disa takime me të muajve të fundit.

Ndryshe, Rusia është partnerja më e madhe dhe më e rëndësishme e Bjellorusisë në politikë dhe ekonomi. Ato gjithashtu kanë bashkëpunim të ngushtë edhe në fushën ushtarake. Rusia ka ndikim të madh politik në Bjellorusi, sepse kjo e fundit është e varur nga gazi rus.

(Kosova Sot Online)