Në Prishtinë arrestohen tre persona për vjedhje të rëndë

  • G.G /
  • 27 November 2020 - 15:00
Në Prishtinë arrestohen tre persona për vjedhje të rëndë

A.M 19-vjeçar, I.G poashtu 19-vjeçar dhe D.M 18 vjeçar janë arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për kryerjen e disa vjedhjeve të ndryshme.

Disa lokacione të kryeqytetit ishin cak i vjedhjeve nga të dyshuarit, teksa policia nuk u tregua aspak e mëshirshme për ta.

“Nga hetuesit policor të stacionit Qendra në Prishtinë, janë arrestuar tre persona të dyshuar për disa vjedhje të rënda. Rastet kanë ndodhur në lokacione dhe periudha të ndryshme kohore kryesisht në qytetin e Prishtinës. Puna e hetuesve policor lidhur me rastet në fjalë,  është finalizuar dje, ku pas marrjes së disa veprimeve operative kanë arritur të arrestojnë tre persona: A. M. mashkull, 19 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, I.G. mashkull, 19 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, D. M. mashkull, 18 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës”, kanë konfirmuar për Express nga Policia e Kosovës.

Policia ka bastisur edhe tri lokacione lidhur me këtë rast e ku kanë gjetur edhe prova për rastin.

“Në koordinim me prokurorin e shtetit dhe gjykatën , hetuesit policor kanë kryer edhe bastisje tri lokacione  ku kanë arritur të gjejnë dhe sekuestrojnë gjësende që mund të përdoren si prova pas procedimit të rastit në institucionet përkatëse. Aktualisht hetuesit po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale lidhur me rastet në fjalë, ndërkohë që personat e dyshuar janë dërguar në qendrën e mbajtjes”, thuhet tutje në përgjigje.

Kohëve të fundit numri i vjedhjeve dhe grabitjeve ka shënuar rritje.

Kjo është bërë e ditur në raportet 24-orëshe të PK-së ku këto raste janë duke u raportuar vazhdimisht. 

(Kosova Sot Online)